2009-01-02 18:13:01

Linci dhe Vilniusi janë qytetet evropiane të kulturës për vitin 2009


(02.01.2009 RV)Linci dhe Vilnius janë caktuar nga Komisioni Evropian si “Qytetet evropiane të kulturës” për vitin 2009.
Kryeqytet i Austrisë së Epërme, Linci, me rreth 190 mijë banorë, laget nga lumi i Danubit, nga i cili ka marrë karakterin shumëetnik e shumëkulturor. U themelua nga keltët, të cilit i vunë emrin “Lentos” e më pas, u pushtua nga romakët. Historia e vonë e qytetit përmban kapituj tepër të ndryshëm nga njëri-tjetri, si vitet e errta të nazizmit nga njëra anë, dhe tharmi përtëritës e risitë e 20-vjeçarit të fundit. Programi i vitit 2009, me bazë moton “Kulturë për të gjithë e nga të gjithë”, është hartuar për të paraqitur anë të ndryshme të shpirtit të qytetit: mikpritjen, artin, diturinë, argëtimin, muzikën, festat, përkujtimet, botën. Kisha Katolike në Austri merr pjesë në vitin kulturor me disa ekspozita e me organizimin e lutjeve me bashkësitë e tjera kishtare. Dioqeza e Lincit po promovon një projekt origjinal me titull “Oshënari në Kullë” për të nënvizuar vlerën e heshtjes e të meditimit.
Duke marrë përsipër rolin e “Guidës kulturore të Evropës” për vitin 2009, Vilniusi, kryeqytet i Lituanisë, dëshiron të privilegjojë përmasën e krijimtarisë e të dyerve të hapura. Programet kulturore kanë për qëllim të nxisin dialogun e tolerancën në Evropë e në botë dhe ta ngrenë kulturën në nivelin e “vlerës” për shoqërinë e për zhvillimin e përgjithshëm të qytetit. Me moton “Kultura drejtpërdrejt”, veprimtaritë kulturore, artistike e shoqërore nxisin pjesëmarrjen e qytetarëve, sidomos të personave me të meta fizike, në paraqitjen e imazhit të Vilniusit në botë. Kryeipeshkvi i Vilniusit, kardinali Odrys Baçkis dhe priori i Tezesë, Frère Alois kanë rënë dakord që takimi i ardhshëm rajonal i të rinjve të Evropës Qendrore të zhvillohet pikërisht në Vilnius, nga 1 deri më 3 maj 2009.







All the contents on this site are copyrighted ©.