2009-01-01 17:58:16

Lindja e Mesme: Livni në Paris deklaron se në Gazë nuk ka emergjencë humanitare


(01.01.2009 RV)Vazhdon gjendja e rëndë në Lindjen e Mesme, pavarësisht nga thirrja e Papës Benedikti XVI dhe impenjimi i liderëve botërore për armëpushim. Brukseli kërkon që të ndërpriten sulmet ajrore të Izraelit, të cilat për gjashtë ditë me radhë, kanë shkaktuar rreth 400 të vdekur e 2 mijë të plagosur. Ndër viktimat e sulmit të sotëm edhe një nga eksponentët më të rëndësishëm të Hamasit, Nizar Rajan. Organizata islamike kërcënoi se do të hakmerret.
Në orën 16.00, u takuan në Paris, ministrja e jashtme izraelite, Tzipi Livni dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozì. Sipas Livnit, nuk është e nevojshme të ndalen sulmet, për ndonjë emergjencë humanitare, pasi Tel Avivi i ka shtuar karvanet me ndihma për Rripin e Gazës. Po sot, presidenca e Bashkimit Evropian i kalon Republikës Çeke. Praga ka deklaruar tashmë se do të dërgojë një mision diplomatik në Lindjen e Mesme. Delegacioni do të përbëhet nga ministrat e jashtëm të Çekisë, Francës dhe Suedisë, si edhe nga Përfaqësuesi i Lartë Evropian për politikën e jashtme, Havier Solana e Komisarja për Marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero-Valdner. Misioni do të përkojë me udhëtimin e presidentit francez Sarkozì, i cili të hënën do të shkojë në Egjipt, Izrael e Çisjordani për të bërë presion që të arrihet armëpushimi ndërmjet Izraelit e palestinezëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.