2008-12-31 16:20:39

Gëzuar Vitin e ri 2009!


(31.12.2008 RV)RealAudioMP3 Të dashur dëgjues kudo që jeni, para sofrës së festës, në punë a në shtëpi, me të afërmit e miqtë, vetëm a me shokë, programi shqip i Radio Vatikanit ju uron me gjithë zemër ta kaloni me gaz e hare fundin e vitit 2008 e gëzuar Vitin e Ri 2009. Ju urojmë të gjithëve ta kaloni pranë Krishtit e me Krishtin. Është i vetmi që mund ta ndihmojë njeriun t’u japë përgjigje gjithë pyetjeve që e mundojnë, t’ia lehtësojë gjithë mjerimet, t’ia shumëfishojë gjithë gëzimet.
Dëshironi vëllazërimin? Krishti na kujton se jemi të gjithë vëllezër!
Keni etje për të qenë njerëz të vërtetë? Krishti e dënon me forcë çdo hipokrizi.
Jeni kundër autoritarizmit e despotizimit? Krishti ka thënë se autoritet domethënë shërbim.
Nuk e duroni dot formalizmin? Krishti nuk i pranon lutjet e thëna pa shpirt, lëmoshët e bëra për t’u dukur, bamirësinë me interes.
Dëshironi lirinë fetare? Krishti do që të gjithë njerëzit ta njohin të vërtetën, por nuk e detyron askënd ta ndjekë duke përdorur forcë e dhunë, nuk e ndalon propagandën kundër tij, nuk i ndëshkoi Apostuj kur e braktisën, s’e mohoi Pjetrin, që e kishte mohuar, nuk e përjashtoi nga radhët e të vetëve Tomën, që kishte dyshuar në ngjalljen e Tij.
Është e vërtetë se kërkoi e kërkon të pranohet si njeri e si Zot, por jo me detyrim: jemi krejt të lirë të mendojmë e të provojmë në se duhet pranuar.Urojmë, prandaj, që çdo njeri vullnetmirë, si ta ketë provuar të vërtetën e Krishtit, ta pranojë në të gjitha ditët e Vitit të Ri 2009 e në të gjitha ditët e jetës!
Koha që po jetojmë nuk është e lehtë. Kriza ekonomike mbjell pasiguri e konfliktet e përhapura nëpër botë, si raprezalja e fundit e Izraelit në Rripin e Gazës, i shumëfishojnë pyetjet për të ardhmen. Viti i Ri që po vjen tërheq pas vetes problemet e pazgjidhura të vitit që po shkon.
Në këtë situatë, sëbashku me Papën Benedikti XVI, reflektojmë e bëjmë pyetjen “Kush do të na ndihmojë të jetojmë?” Që në fillim të papnisë së tij, Ati i Shenjtë vuri në dukje detyrën e atyre, që Zoti i ka thirrur të shpallin Lajmin e Mirë të Ungjillit. “Ne – pati thënë Papa Racinger – ekzistojmë për t’ua treguar Zotin njerëzve”.
Nuk është detyrë e lehtë. Të merresh me Perëndinë do të thotë të vësh në diskutim veten e të tjerët në të gjitha fushat. Është si të rifillosh një lojë shahu: ndryshon strategjia, sepse gjërat shihen nën një dritë të re. Papa ka thënë gjithnjë se dëshiron ta konfrontojë jetën e përditshme me Zotin, pasi Hyji është i vetmi, që mund të sjell gëzimin që nuk zhduket papritmas, por na shoqëron gjatë. Por të vendosësh Zotin në qendër të jetës kërkon kthimin e zemrave. E Papa vë në dukje këtë nevojë, pikë së pari për Kishën, në të cilën bën pjesë si besimtar e si Bariu i saj shpirtëror, pastaj për të gjithë njerëzit e për të gjitha strukturat. Nuk është fjala për të ndërruar fe, por për ta lidhur fenë me arësyen, në një dialog të frytshëm e të sinqertë, ku ndodh që në bankën e të akuzuarve të jetë edhe ai që merr pjesë në këtë dialog.
Dy enciklikat e Benediktit XVI mbi bamirësinë e mbi shpresën nënvizojnë me forcë se në qendër të shpresës së krishterë është Krishti, ai që në mendimin e Papës, do ta gjykojë historinë me metrin e dashurisë. Është një këndvështrim optimist i së ardhmes: “Në momentin e gjykimit – shkruan Ati i Shenjtë - eksperimentojmë e kuptojmë këtë ngadhnjim të dashurisë së Tij mbi të këqiat e botës e mbi errësirën brenda nesh. Dhimbja e dashurisë bëhet shpëtimi e gëzimi ynë”.
Benedikti XVI ka zgjedhur të veprojë për paqen në botë, pikërisht sepse e konsideron atë paralajmërim të Mbretërisë së Zotit. Papa e shikon të tashmen, duke u nisur nga fundi i të gjitha kohërave e nga ardhja e Krishtit në lavdi. Prandaj na fton drejt pajtimit, që sjell faljen e paqen, dhuratë e Zotit, kur i bëjmë vend në zemra, dhuratë e Atij që na ndihmon të jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.