2008-12-31 16:21:20

Ati i Shenjtë do të kremtojë nesër Meshën e Solemnitetit të Shën Marisë, Nënës së Zotit, në Ditën Botërore të Paqes.


(31.12.2008 RV)Nesër në orën 10, gjithnjë në shën Pjetër, Papa do të kremtojë Meshën e Solemnitetit marian, në Ditën e 42-të Botërore të Paqes, për të cilën Shenjtëria e Tij ka bërë të njohur tashmë mesazhin me titull: “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen”.
Drama e mjerimit, që vë nën thembër të drejtat e qindra mijëra njerëzve – nënvizon Benedikti XVI - duke i nxitur ose duke i thelluar konfliktet “i imponohet ndërgjegjes së njerëzimit”. E Papa fton të luftohet varfëria në botë, për të ndërtuar paqen. Por për t’ia arritur këtij qëllimi, duhet përshkuar një rrugë e gjatë dhe e vështirë: duhen ndryshuar stilet e jetës, modelet e prodhimit e të konsumit, strukturat e konsoliduara të pushtetit, që sundojnë sot shoqërinë. Nuk është fjala për një operacion thjeshtë të jashtëm: ajo që ka rëndësi, është të hiqet dorë nga mendësia, që i konsideron të varfërit si barrë e si njerëz të besdisshëm, të cilët pretendojnë të konsumojnë, atë që prodhojnë të tjerët: të varfërit duhen parë në perspektivën e pjesëmarrjes të të gjithëve në të njëjtin plan hyjnor, atë të thirrjes për ndërtimin e një familjeje të vetme njerëzore. E nuk duhet harruar se lakmia dhe horizonti i ngushtë krijojnë sisteme të padrejta, të cilat heret a vonë do t’u japin llogari të gjithëve. Vetëm marrëzia – pohon Papa – mund ta shtyjë njeriun të ndërtojë një shtëpi të artë, në një mjedis të shkretë ose të degraduar.
Benedikti XVI denoncon hendekun ndërmjet të varfërve e të pasurve, krizën aktuale ushqimore, që karakterizohet jo aq nga ushqimi i pamjaftueshëm, sa nga vështirësitë për ta siguruar këtë ushqim dhe nga fenomenet spekulative; shkandullin e shpërpjestimit ekzistues ndërmjet problemeve të varfërisë dhe masave që merren për ta luftuar e, përballë kësaj “rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve ushtarake’ që nxit garën e armatimeve, duke krijuar zona të nënzhvilluara e të dëshpëruara. Veç kësaj, Papa flet edhe për hendekun teknologjik, përjashtimin nga flukset tregtare botërore dhe dinamikën e çmimeve, që i bëjnë edhe më të mëdha distancat ndërmjet Veriut e Jugut. Kështu vendet e varfëra, posaçërisht ato afrikane, vuajnë nga një kufizim i dyfishtë: i kanë të ardhurat më të ulëta, ndërsa çmimet e prodhimeve të tyre bujqësore e të lëndëve të tyre të para rriten shumë më ngadalë se prodhimet industriale të vendeve të pasura. Papa flet, më pas, për kundërgoditjet negative të një sistemi financiar, i cili bazohet mbi logjikën e fitimit të shpejtë, nuk mendon për të mirën e përbashkët e është i rrezikshëm për të gjithë, edhe për ata që arrijnë të përfitojnë gjatë turbullimit të ujërave të financës.

Ekziston, pastaj edhe shqetësimi për sëmundjet pandemike, si malarja, tuberkulozi e Sida: bashkësia ndërkombëtare bën ende tepër pak për t’i luftuar e nganjëherë viset e prekura prej tyre detyrohen t’i nënshtrohen kërcënimeve të vendeve që i përdorin ndihmat ekonomike për të diktuar vendime politike në kundërshtim me jetën.
Përsa i përket Sidës, Papa fton të organziohen fushata, që ndihmojnë për t’u dhënë të rinjve një edukatë seksuale në përkim me dinjitetin e njeriut; nismat e filluara në këtë drejtim – shpjegon – i kanë dhënë tashmë frytet e tyre të para, duke bërë të pakësohet përhapja e sëmundjes së tmerrshme.
Është shumë e nevojshme që edhe të varfërve të mos u mungojë kujdesi për shëndetin, përmes një zbatimi fleksibël të rregullave ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me pronën intelektuale.

Mesazhi, duke pasur parasysh ata që e lidhin ngushtë varfërinë me zhvillimin demografik, bën një kritikë të fortë kundër fushatave për kufizimin e numrit të lindjeve, të organizuara në nivel ndërkombëtar, edhe me metoda që nuk e respektojnë as dinjitetin e gruas, as të drejtën e bashkëshortëve për të zgjedhur me përgjegjësi numrin e fëmijëve, e shpesh, gjë edhe më e rëndë, as të drejtën për të jetuar. Shfarosja e miliona fëmijëve të palindur, në emër të luftës kundër varfërisë - shkruan Papa - në të vërtetë s’është gjë tjetër, veçse zhdukja e qenieve më të varfëra njerëzore. Kështu Benedikti XVI ofron një të dhënë objektive: faktin që në vitet e fundit është lehtësuar shumë varfëria pikërisht në vendet ku ka rritje të ndjeshme të popullatës, të cilat kanë dalë në skenën ndërkombëtare si fuqi të reja ekonomike, duke realizuar zhvillimin, pikërisht në sajë të numrit të madh të banorëve. Me fjalë të tjera – vëren Papa - popullsia po konfirmohet gjithnjë më shumë si pasuri, e jo si faktor i varfërisë.
Në dokument Papa nënvizon një të dhënë tepër të trishtuar: më se gjysma e të varfërve të mbarë botës, janë fëmijë. E më pas, fton që të mbrohet instituti familjar, sepse ‘kur dobësohet familja, ata që dëmtohen në mënyrë të pashmangshme, janë fëmijët. Kështu ndodh edhe atje, ku nuk mbrohet dinjiteti i gruas e i nënës, gjë që e ndjejnë, në radhë të parë, pikërisht fëmijët.
Por, ç’duhet bërë? Globalizimi – pohon Papa – duhet të udhëhiqet nga solidariteti, sepse i vetëm nuk është i aftë ta ndërtojë paqen, madje në shumë raste, krijon përçarje e konflikte. Duhet luftuar kundër kriminalitetit e duhet investuar në formimin e gjithanshëm të njerëzve, duke zhvilluar kulturën e nismës. Në të vërtetë politikat me vulën e asistencializmit – saktëson - janë në zanafillë të shumë dështimeve në veprimtaritë për të ndihmuar vendet e varfëra. I duhet dhënë më shumë hapësirë edhe shoqërisë civile. Por duhet theksuar edhe – përfundon Benedikti XVI – se lufta kundër varfërisë ka nevojë për burra e gra, që e jetojnë thellësisht vëllazërimin, duke shikuar në fytyrën e të varfërve, vetë fytyrën e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.