2008-12-31 18:04:59

365 ditë: "Koncili II i Vatikanit, erë e fortë mbi Kishën"


(31.12.2008 RV)Po pse të mblidhet një Koncil? Në përgjithësi koncilet shërbejnë për të kapërcyer çaste krize në Kishë, por në fillim të viteve shtatëdhjetë nuk duket kurrfarë krize në horizont… E pse, atëherë, Papa i moshuar, Gjoni XXIII, nis një veprimtari të tillë duke i thirrur të gjithë ipeshkvijtë e botës në Vatikan?
Kur i bëhet kjo pyetje, gjatë një takimi, Gjoni XXIII ngrihet e hap dritaren. Era hyn në dhomë e i lëviz nga vendi të gjitha kartat, që ndodhen mbi shkritore. Me këtë gjest simbolik Papa shpjegon atë që dëshiron. Koncili II i Vatikanit duhet t’i japë Kishës mundësinë t’ia hapë portat botës, të ‘ thithë ajër të freskët’, të rinohet. Gjatë shekullit XX bota ka ndryshuar shumë. Është tronditur nga luftëra të tmerrshme e shkenca ka bërë një përparim vigan. Përballë së sotmes, që ndryshon vetëtimshëm, njerëzit i bëjnë vetes një mori pyetjesh: mbi luftën e paqen, shkencën e tekniken, pasurinë e varfërinë, barazinë e pabarazinë, por edhe për familjen e dashurinë, punën e papunësinë. Presin përgjigje nga Kisha, që duhet ta ushqejë reflektimin e tyre. Kisha, pra, duhet t’i përgjigjet epokës së re, për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë ç’ndodh në jetën e tyre. Misioni i Kishës vijon të jetë ai i të gjitha kohëve: t’u kumtojë njerëzve Zotin. Por, për ta bërë këtë, duhet t’ua kuptojë shqetësimet, që ndryshojnë me ndryshimin e kohës.
Koncili hapet nga Gjoni XXIII në vitin 1962 e mbyllet nga Pali VI në vitin 1965. Në tri vjet, Kisha ndërron fytyrë! Shenja më e dukshme është modernizimi i Meshës: Koncili vendos të mos kremtohet më në gjuhën latine, por në gjuhët vendase.
Kjo është vetëm një nga reformat themelore. Për shembull, Koncili vendos t’u japë më shumë rëndësi laikëve, njerëzve që nuk janë të shuguruar. Koncili II i Vatikanit kujton edhe se gjithë të pagëzuarit , meshtarë ose jo, janë të thirrur të ecin në rrugën e shenjtërisë e kanë një mision të përbashkët në Kishë. Shkruhen tekste për jetën e laikëve, për t’i udhëhequr e për t’i ndihmuar t’i vënë me sukses në jetë talentet e tyre. Përveç kësaj, Kisha vendos t’ia hapë portat botës, duke nisur nga dialogu me fetë e tjera, për të ndihmuar kështu në bashkimin e të gjithë besimtarëve. Deklaron se dëshiron të jetë mjet i paqes; pohon vullnetin për ta mbështetur më shumë se kurrë lirinë dhe dinjitetin e njeriut në të katër anët e Planetit.Siç e kishte parashikuar Gjoni XXIII, një erë e fuqishme, era e Hyjit, fryn mbi Kishën. Spastron gjithçka është vjetruar e krijon kushtet për ta parë botën me sy të rinj!







All the contents on this site are copyrighted ©.