2008-12-30 18:15:15

Rripi i Gazës: e ka fjalën diplomacia


(30.12.2008 RV)Dita e katërt e operacionit “Plumbi i shkrirë” në Gazë. Para se të mblidheshin në Paris, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, me një aksion diplomatik që ka për qëllim të vendosë armëpushimin e të lejojë mbërritjen e ndihmave humanitare në këtë zonë të Lindjes së Mesme, Izraeli paralajmëroi se ofensiva kundër Hamasit mund të zgjasë disa javë, por për momentin, faza e parë ka përfunduar. Fjala i takon diplomacisë, e cila ka filluar tashmë punën. Përveç Bashkimit Evropian, sot janë konsultuar telefonikisht edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe krerët e tjerë të kuartetit për Lindjen e Mesme.
Ndërkaq, viktimat palestineze në Gazë kanë arritur në 363 vetë e 1.700 janë të plagosurit. Aviacioni izraelit ka goditur gati 400 objektiva. Përvijohet emergjencë humanitare për rreth 1 milion e gjysëm palestinezë, megjithëse Tel Avivi ka autorizuar kalimin e rreth njëqind kamionëve me ndihma. Egjipti ka deklaruar se do ta mbajë të mbyllur kufirin me Rripin e Gazës, derisa Autoriteti Kombëtar Palestinez të marrë sërish në duar pushtetin. Nga ana tjetër, Hamasi ka qëlluar sërish me raketa qytetet izraelite, duke shkaktuar deri tani, pesë viktima.







All the contents on this site are copyrighted ©.