2008-12-30 18:18:49

Patrikët e krishterë: të ndalë dhuna në Rripin e Gazës e të kthehet dialogu. Intervistë me Rojtarin e Tokës Shenjte.


(30.12.2008 RV)RealAudioMP3 Kisha e Tokës Shenjte dhe krerët e krishterë të rajonit ndjekin “me shqetësim të thellë e trishtim” luftimet që përgjakin Rripin e Gazës. Në një Deklaratë të përbashkët, nënshkruar sot, tre Patrikët, ai latin, ai greko-ortodoks dhe ai armen apostolik, shprehin dhimbjen e tyre të thellë për ciklin e ri të dhunës ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve dhe për mungesën e vazhdueshme të paqes në Tokën Shenjte. Ata i ftojnë të gjitha palët të heqin dorë nga dhuna, por sidomos u bëjnë thirrje fraksioneve të ndryshme palestineze të mbrojnë popullin, përtej interesave të tyre. Gjithashtu, Patrikët i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar derdhjen e gjakut e për të gjetur një zgjidhje të bazuar mbi rezolutat ndërkombëtare. Një nga nënshkruesit e Deklaratës është Rojtari i Tokës Shenjtë, atë Pierbatista Picabala. Ta dëgjojmë:
Jetojmë në një periudhë tensioni të madh. Është e vërtetë se këtu në Çisjordani jemi relativisht larg nga sa po ndodh, në kuptimin që bombat nuk i shohim e nuk i dëgjojmë, por në krejt popullatën civile, sidomos ndër arabo-palestinezët, ndihet një zemërim i madh.
Këtu, i ashtuquajturi proces i paqes fillon e ndërpritet vazhdimisht: nuk është hera e parë që jemi afër kthesës e pastaj ajo nuk realizohet. Kam frikë se edhe në këtë rast jemi brenda një skenari të shkruar më parë: gjithçka dukej gati për ndryshime, e pastaj u kthyem tek zgjidhja më e thjeshtë, dhuna. Dhunë që më duket tepër e shpërpjestuar, e jashtëzakonshme. E sigurtë është se ata që paguajnë dhe vuajnë më shumë janë gjithnjë njerëzit e varfër. Nuk besoj se mund të zgjidhen kështu problemet.
Ç’mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare? A është e mundur ta ndryshojë situatën?
Natyrisht duhet ta ndryshojë situatën: roli i bashkësisë ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm, sepse mund të bëjë presion e t’i ftojë palët të tregohen më të matur. Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare mungon prej shumë kohësh e mendoj, se edhe nëse dëshiron të ndërhyjë tani, kjo do të kërkojë kohë. E koha këtu, është një faktor vendimtar. E vërtetë është edhe se shumë kanë provuar më parë të ndërhyjnë, por pastaj kanë hequr dorë duke thënë se situata është tepër e ndërlikuar. Kjo është e vërtetë, por nga ana tjetër, është e vështirë të gjenden zgjidhje kur dy palët në konflikt – Izraeli e palestinezët – janë kaq larg njëri nga tjetri.







All the contents on this site are copyrighted ©.