2008-12-29 18:49:47

Sot u përkujtua Shën Toma Beket, ipeshkëv e martir


(29.12.2008 RV)I lindur në Londër rreth vitit 1117 e i shuguruar diakon dhe bashkëpunëtor i kryeipeshkvit të Kënterburit, Teobaldt, Toma u emërua kancelar i mbretit Enriku II, me të cilin e lidhte një miqësi e ngushtë. Teobaldi vdiq në vitin 1161 e Enriku II, falë privilegjit të dhënë nga Papa, mundi ta zgjidhte Tomën si pasardhës-primat në selinë e Kënterburit. Por, duke e zënë këtë post, Toma tregoi se nuk e kishte fare ndër mend të mbronte mbretin, në dëm të Kishës. Përkundrazi, u bë një nga mbrojtësit më të zjarrtë të të drejtave të Kishës, duke fituar kështu armiqësinë e sovranit. U shugurua meshtar e ipeshkëv në vitin 1162. Pasi nuk pranoi ta njihte ‘Kushetutën e Klarendonit’ të vitit 1164, u detyrua të ikte në Francë, ku jetoi si mërgimtar për gjashtë vjet. Por, sapo u rikthye, gjëja e parë që bëri ishte të çkishëronte ipeshkvijtë e zgjedhur nga mbreti i cili, i tërbuar, klithi: “Kush do të ma heqë qafe këtë prift intrigant?”. E pas kësaj klithme, katër kalorës të armatosur u nisën drejt e në Kantërburi. Kryeipeshkvi u paralajmërua se drejt tij po kalëronte vetë vdekja, por ai s’u tund nga vendi i tij e sidomos, nga mendimi i tij: i priti qetë-qetë vrasësit në katedrale, i veshur me petkat e meshëve të mëdha dhe i la ta bënin shoshë me thika pa u kundërshtuar fare. Ishte data 23 dhjetor, viti 1170. Kishës i shtohej një martir e shenjt i ri!







All the contents on this site are copyrighted ©.