2008-12-29 19:02:42

Nga Etërit e Kishës: meditime për paqen në prag të Vitit të Ri.


(29.12.2008 RV)Nga vepra e Pseudo- Dionisit Areopagitas Liturgjinë e fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një rrëmim të sinqertë të ndërgjegjes personale e komunitare. Të gjithë i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet, të sigurtë se Hyji, i pasur me mëshirë, është pafundësisht më i madh se mëkatet tona.
Në Ty shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në këtë natë feste - Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen e Zotit.

Zoti është paqe, fillim i çdo bashkimi. Ta kremtojmë paqen me lavdet e paqes. Është Zoti-paqe Ai që i bën një të gjitha sendet; nga Ai buron çdo harmoni, lind çdo bashkim. Të gjithë njerëzit e dëshirojnë këtë paqe, që t'i shndërrojë ndryshimet e tyre e përçarjet tyre në bashkim të përkryer e që kështu ata të mund të jetojnë së bashku në paqe.
Paqja e dikon përsosurinë e vet përmes të gjitha qeniejeve. Ajo bashkon çdo realitet, duke lidhur një skaj me tjetrin e duke ia nënshtruar të gjithë një miqësie që i bën të barabartë. Ajo i bën pjesëtarë të lumturisë së saj edhe kufijtë më të largët të tokës. I bashkon të gjitha sendet ndërmjet tyre përmes mijëra unitetesh, mijëra identitetesh, mijëra bashkimesh, mijëra lidhjesh.
Ajo bën të gurrojë prej saj begatia e fekonditetit të vet paqëtor.

Nxitje për paqe - nga vepra e Ciprianit

 
Edhe ti, që deri tani sundoheshe nga xhelozia e nga zilia, largoje nga vetvetja ligësinë që të prangoste e me hapa shpëtimtare kthehu në shtegun e jetës së amshuar. Shkuli nga kraharori gjembat, që fara e Zotit të të pasurojë me një korrje të begatë. Flake vrerin, nxirre përjashta helmin e armiqësisë, pastroje mendjen e sëmurë nga zilia e gjarprit e gjithë zehëri që të sundonte më parë u ktheftë në ambëlsinë e Krishtit. Ushqimi yt e pija jote qofshin në misterin e Kryqit, e ëmbëlsofshin zemrën tënde, që të mos kesh më nevojë të kujdesesh për shëndetin tënd të tronditur.

Mjekoju me atë që të plagosi. Duaje atë që e urreje, pëlqeji ata që më parë i zilepsje e i fyeje. Përpiqu t'u ngjash të mirëve, mundohu të ecësh në gjurmët e tyre; e në se nuk mund ta bësh këtë, gazmohu e përgëzoi ata që janë më të mirë se ti. Bashkoi në dashuri, bëji bashkëtrashigimtarë në vëllazëri. Do të të falen borxhet, kur ti t'ua keshë falur borxhlinjve të tu e flijet do të të pranohen, kur t'ia paraqitësh Zotit në paqe. Kur mendon vetëm çka është hyjnore dhe drejtë, mendja jote e veprimet tua do të drejtohen nga qielli, ashtu si është shkruar: shpirti i njeriut duhet të mendojë drejtësinë, që këshu hapat e tij të drejtohen nga Zoti.
Ke mjaft ç'të mendosh: mendo për Parajsën, ku Kaini nuk u kthye, sepse pati mbytur, për zili, të vëllanë. Mendo për mbretërinë e qiellit, ku Zoti pranon vetëm ata që jetojnë në pajtim e bashkim. Mendo se mund ta quajnë veten bij të Zotit vetëm ata që jetojnë në paqe, që, të bashkuar në lindjen shpirtërore e në dëgjesë të ligjit hyjnor, pasqyrojnë figurën e Hyjit Atë e të Krishtit. Mendo se jemi nën sytë e Zotit e se ai e vëren e e gjykon sjelljen tonë dhe gjithë jetën tonë e se do të mund të arrijmë më në fund ta kundrojmë, vetem në se e gëzojmë, në sa ai kundron veprat tona, në se tregohemi të denjë për hirin e tij e për ndjesën e tij, në se i pëlqejmë në këtë botë, për t'i pëlqyer pastaj përgjithnjë në mbretërinë qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.