2008-12-29 18:48:35

Mijëra të rinj në Bruksel për takimin evropian të Tezesë


(29.12.2008 RV)RealAudioMP3 Filloi sot në Bruksel takimi i 31-të i të rinjve evropianë organizuar nga Bashkësia e Tezesë. Marrin pjesë mëse 40 mijë të rinj, të ardhur nga vende të ndryshme evropiane e madje, edhe nga kontinente të tjera. Kjo etapë e re e “Shtegtimit të besimit mbi tokë” vjen menjëherë pas një takimi të zhvilluar në Nairobi të Kenias me të rinjtë afrikanë. Takimet në fshatin e vogël francez të Tezesë, që bëhen gjatë gjithë vitit, por sidomos verës, janë pjesë e një rruge ekumenike nisur nga Frère Roger, themeluesi i Bashkësisë. Po ai pati filluar në vitin 1978, në Paris, takimet ndërkombëtare të përvitshme, të cilat zhvillohen pikërisht në javën e Vitit të Ri. Shqiptarët marrin pjesë në to që me hapjen e kishave në Shqipëri, pas komunizmit. Grupi i parë prej tetë vetësh u bë bërthama e takimeve të Tezesë në Shqipëri, të cilat fillimisht zhvilloheshin vetëm në Tiranë, e vetëm në bashkësinë katolike. Më pas, të rinj nga qytete të tjera provuan përvojën e lutjes së Tezesë, në të cilën u përfshinë edhe ortodoksët. Shtegtimi në Tezè, për të marrë pjesë në lutjen e të rinjve, ushqehet nga shpresa për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, siç na shpjegon frère Riçard, me telefon nga Brukseli, ku ndodhet sëbashku me të rinjtë evropianë:
Të rinjtë kanë shpresë të madhe për të ndërtuar një të ardhme të ndryshme nga e sotmja. Në këto kohë krize, shumë prej tyre kanë përfunduar studimet pa siguri për të ardhmen, por kanë ardhur në Bruksel për të gjetur tek lutja, tek heshtja, një hov të ri. Një hov për të kapërcyer problemet. Famullitë na kanë pritur krahëhapur: ata shpresojnë, e shpresojmë edhe ne si murgj të Tezesë, që ndihma vëllazërore të kontribuojë në ndërtimin e kësaj së ardhmeje.
Si zhvillohet takimi i këtij viti e cilat janë temat e lutjes e të reflektimit?
Ajo e këtij viti është një etapë e re e “Shtegtimit të besimit mbi tokë”. Frymëzohet nga udhëtimi i fundit në Kenia i Frère Alois, priorit të bashkësisë. Priori shkoi në vendin afrikan në fund të nëntorit. Nga takimi me të rinjtë afrikanë solli “Letrën nga Kenia”. Në dokument përmenden tema mbi të cilat do të reflektohet këto ditë në Bruksel. Reflektimi i parë është: “Në ç’burim e shuajmë etjen ne të krishterët e si mund t’u hapim udhë burimeve të gjalla brenda nesh”. Pastaj një pyetje tjetër: “Si të mos rrimë duarkryq para ngjarjeve, por, me forcën e Shpirit të Shenjtë, të marrim përsipër përgjegjësinë e jetës?” Një pyetje tjetër akoma është në qendër të takimit tonë në Bruksel: “Si të shkojmë gjithnjë përtej asaj që kemi arritur?” Në fakt, duhet kuptuar se Zoti është më i madh se ne. Do të donim që ta ndiqnim rrugën e tejkalimit të vetvetes për të jetuar më shumë në bashkim me Krishtin.
Të rinjtë e Tezesë i kanë drejtuar një mesazh Bashkimit Evropian, ku reflektohet mbi Kushtetutën e Evropës dhe mbi mënyrën se si të ndërtohet një Evropë, që respekton edhe popujt e tjerë jo evropianë. Ndërkaq, Papa Benedikti XVI, në mesazhin drejtuar të rinjve, që marrin pjesë në takimin ekumenik të Tezesë, bën thirrje që ata të kenë besim, të mos kenë frikë, tua hapin zemrën bashkëmoshatarëve e Krishtit. E në gëzimin e këtyre ditëve, në këngët, në takimet miqësore me të rinj që vijnë edhe nga larg, gjendet mënyra për të jetuar sëbashku, për të krijuar diçka të bukur e të qëndrueshme, që përmirëson shoqërinë ku jetojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.