Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot kërkon ‘një fërgëllimë humaniteti e
urtie’, për të rikthyer paqen në Tokën e Jezusit.
(29.12.2008 RV)T’i jepet fund hullisë
së gjakut, që trondit Tokën Shenjte. Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti
XVI bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme, pas bombardimit të rreptë izraelit,
që bëri kërdi në Rripin e Gazës. Papa foli për situatën në Lindjen e Mesme në përfundim
të lutjes së cilës, si zakonisht në mbarim të vitit, i parapriu kujtimi i festës së
djeshme liturgjike, kushtuar Familjes së Shenjtë. Turmës së prindërve e të fëmijëve,
e cila në këtë çast popullonte Plaza de Colón në Madrid me rastin e festës së familjes,
organizuar nga Kisha spanjolle, Benedikti XVI i drejtoi ftesën e posaçme të mos lejojë
të zbehen vlerat tipike të dashurisë për jetën e të mirëpritjes së saj.
Toka,
e cila e pa Jezusin duke ardhur në botë, në gjirin e një familjeje të thjeshtë e njëkohësisht,
të jashtëzakonshme, që pardje është terren i një ploje të re. Pamjet e dhunës, që
vijojnë të pasqyrohen nga mjetet e komunikimit e kanalet e internetit të mbarë botës,
shkaktuan reagimin e Benedikti XVI përballë kësaj tragjedie. Gjatë lutjes së djeshme
të Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin edhe dhimbjen e tij të thellë
për viktimat, për vuajtjet, për lotët e popullsive të Tokës së Jezusit. Këto popullsi
mbajnë prej kohe mbi shpinë peshën e rëndë të atyre, që Papa i quajti ‘sulme e raprezalje
të pandërprera’. Në një situatë e tillë, Ati i Shenjtë nuk mund të mos bënte thirrje
për t’i dhënë fund gjakderdhjes në vendlindjen e Krishtit:
"Atdheu
tokësor i Jezusit nuk mund të vijojë të jetë dëshmitar i gjithë kësaj gjakderdhjeje
që përsëritet pambarimisht! Lutem të marrë fund kjo dhunë, që është për t’u dënuar
në të gjitha shfaqjet e saj, e të heshtin armët në Rripin e Gazës; kërkoj një fërgëllimë
humaniteti e urtie, nga të gjithë ata, që përgjigjen për situatën e nga bashkësia
ndërkombëtare, e cila duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i ndihmuar izraelitët
e palestinezët të dalin nga ky shteg i verbër e të mos dorëzohen – siç kujtova dy
ditë më parë në Mesazhin Urbi et Orbi – Romës e Botës – përballë logjikës së mbrapshtë
të ndeshjes e të dhunës, por të zgjedhin rrugën e dialogut e të bisedimeve”. Këto
fjalë u vulosën me një lutje të ndjerë për paqen, drejtuar Familjes së Nazaretit,
së cilës Ati i Shenjtë ia kushtoi pjesën e parë të Engjëllit të Tënzot. Krishtlindja
është festa e familjes. Por – vërejti Benedikti XVI - është edhe çast në të cilin
dëshira për të festuar së bashku me njerëzit e dashur, shpesh herë i thellon plagët
e hapura për një mori arsyesh familjare. Kush mund të na bëhet krah për t’i shëruar
këto plagë? Kujt mund t’i drejtohemi për ndihmë? Të krishterët nuk kanë asnjë dyshim.
Mund t’i ndihmojë ajo, që mbetet simbol i të gjitha familjeve:
“Familja
e Jezusit e meriton me të vërtetë titullin ‘shenjte’, sepse është e gjitha e pushtuar
nga dëshira për të bërë vullnetin e Zotit, mishëruar në praninë e adhurueshme të Jezusit.
Nga njëra anë është familje si të gjitha të tjerat e, si e tillë, model i dashurisë
bashkëshortore, i bashkëpunimit, i flijimit, i besimit të plotë në Provaninë hyjnore,
në dashurinë për punën e në solidaritetin, domethënë në të gjithë ato vlera, që familja
i ruan e i mbron, duke dhënë ndihmesën e vet të parë e më të rëndësishme për formimin
e indit të çdo shoqërie”.
Maria, Jozefi e Jezusi
u hapin të gjitha familjeve të krishtera, e jo vetëm atyre, horizontin e Hyjit në
botën e sotme. Një mesazh që Papa ua përcolli me forcë të posaçme besimtarëve spanjollë,
mbledhur në Madrid për festën e familjes, organizuar nga ipeshkvijtë e vendit. Nëna,
baballarë e fëmijë Papa i përshëndeti me fjalët:
“Queridas familias,
no dejéis que el amor... Të dashura familje, mos lejoni të ligështohen
dashuria, dëshira për jetën e lidhjet e pakrahasueshme, që bashkojnë familjet tuaja.
Kërkojani vazhdimisht Zotit, lutuni të bashkuar, që qëllimet tuaja të ndriçohen nga
feja e të kaliten nga hiri hyjnor në rrugën drejt shenjtërisë. Kështu, duke ndarë
bashkë gjithçka me frymën e dashurisë, do t’i jepni botës një dëshmi të bukur, duke
u treguar të gjithëve sa e rëndësishme është familja për njeriun e për mbarë shoqërinë.
Papa është përkrah jush, duke e lutur në mënyrë të posaçme Zotin për të gjithë ata
që, në çdo familje, kanë më shumë nevojë për shëndet, për punë, për ngushëllim e shoqëri”. Më
pas Benedikti XVI kujtoi se pas pak javësh, më 14 deri më 18 janar 2009, në Qytetin
e Meksikos do të mbahet takimi botëror i familjeve. Duke kujtuar këtë ngjarje të madhe,
Papa u lut për familjet e vëna në prova të rënda, për shkak të vështirësive të jetës,
të plagëve të moskuptimit e të ndarjes. Së fundi, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot,
Ati i Shenjtë nuk harroi edhe dy përvjetore të largëta në kohë, por ende tepër të
gjalla në kujtesën e shumë njerëzve: 40-vjetorin e Meshës që Papa Pali VI kremtoi
Natën e Krishtlindjes së vitit 1968 në stabilimentin tarantin të Italsider – sot ILVA
– rast që Benedikti XVI e shfrytëzoi për të shprehur shqetësimin për shtimin e formave
të pasigurisë në punë dhe për të bërë thirrje që kushtet e punës të jenë gjithnjë
më dinjitoze për të gjithë. E akoma, Papa u kthye me kujtime 100 vjet mbrapa, në çastet
e tmerrshme kur tërmeti i 28 dhjetorit 1908 rrafshoi pothuajse krejtësisht qytetin
sicilian të Mesinës. Mesinezëve Ati i Shenjtë u bëri përshëndetjet më të ngrohta,
duke uruar që në zemrat e tyre të ndrisë përherë shpresa e krishterë.