2008-12-29 18:48:19

Afrika në zemër të Papës për 2009-tën, ndërsa për Benediktin XVI përfundon një vit i ngarkuar me ngjarje. Bilanc i Atë Federiko Lombardit.


(30.12.2008 RV)RealAudioMP3 Ky, që po përfundon, për Benediktin XVI është një vit i ngarkuar me ngjarje e veprimtari në fronte nga më të ndryshmet: nga shtegtimet baritore prej një skaji në një skaj tjetër të globit, tek dialogu ekumenik e ndërfetar; nga mbrojtja e të krishterëve të persektuar në botë, tek thirrja për të mbrojtur vlerat e mëdha, përballë pasojave të krizës ekonomike, që vijon të tronditë Planetin. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, bën bilancin e këtyre muajve, duke hedhur vështrimin edhe në të rejat kishtare që priten në vitin 2009. Të ndjekim pjesën e parë të intervistës, dhënë Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Do të thosha se papnia ka gjetur pikërisht vijën e vet si kumtim i fesë së krishterë, me një shërbim në nivel të jashtëzakonshëm, por edhe si pohim i vlerave themelore për të mirën e njerëzimit të së sotmes e të së nesërmes. Një kumt pozitiv, që i drejtohet botës së sotme pa druajtje e, më duket se shtegtimet ndërkombëtare – posaçërisht të këtij viti – e tregojnë qartë këtë.

Pyetje: - Cilat ‘fotograme’ mbeten në kujtesë nga shtegtimi në SHBA, me vizitën në OKB, në Sidenei për DBR-së e në Lurdë?

Përgjigje: - Spikat, natyrisht, fjalimi i Benediktit XVI para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e, pa dyshim, edhe lutja në Ground Zero, që ndoshta i preku më shumë zemrat e amerikanëve. Përsa i përket Ditës Botërore të Rinisë, kujtojmë çastet e jashtëzakonshme të përqafimit të Papës me turmën e shkëlqyer, gazmore të të rinjve. Në Francë Ati i Shenjtë mundi ta paraqesë magjisterin e tij në mënyrë pozitive, duke dëgjuar me vëmendje jo vetëm Kishën, por edhe botën kulturore franceze e duke arritur kështu qëllimin për dialogun ndërmjet Kishës e botës së sotme, të cilin e dëshirojnë të gjithë.

Pyetje: - Në frontin e ekumenizmit e të dialogut me Islamin, besoj që mund të themi me plot gojën se në vitin 2008 u bënë hapa të rëndësishme përpara….
 
Përgjigje: - Po. Për ekumenizmin, figura që mbetet më e pranishme, është ajo e Bartolomeut I në Sinodin e Ipeshkvijve: Patriku ekumenik, që kumton me gjithë shpirt dashurinë për Fjalën e Hyjit në traditën ortodokse. E ç’mund të na bashkojë, më shumë sesa kjo arritje e përbashkët në rrënjën e fesë sonë?
Përsa i përket dialogut ndërfetar, në fushën e marrëdhënieve me Islamin çasti ndoshta më domethënës, ishte Forumi katoliko-mysliman i kohëve të fundit, Deklarata e përbashkët e të cilit dëshmoi se u prekën me ndershmëri e qartësi pikat e të drejtave të njeriut e të lirisë fetare, që kanë rëndësi vendimtare në marrëdhëniet me Islamin.

Pyetje: - Viti 2008 është Vit i Shën Palit e Benedikti XVI prej disa muajsh po ia kushton katekizmin e audiencës së përgjithshme Apostullit të Popujve. Ç’pret Ati i Shenjtë nga ky çast kremtimor, që do të vijojë edhe në vitin 2009?

Përgjigje: - Viti kushtuar Shën Palit nuk është ndoshta diçka që tërheq shumë vëmendjen e shtypit laik ndërkombëtar, por për jetën e Kishës është shumë i rëndësishëm. Lidhur me këtë, katekizmi i Papës është një shërbim me vlerë, është fryt i thellësive të mëdha të kulturës së tij teologjike e përshpirtërisë së tij të madhe. Është rrugë për të ndihmuar popullin e krishterë të gjejë rishtas - lidhur me figurën e apasionuar të një apostulli, si Shën Pali – frymëm misionare, dëshirën për ta kumtuar këtë dhuratë feje, që është marrë. Edhe në nivel ekumenik, Viti kushtuar Shën Palit është shumë i rëndësishëm: ortodoksët, në mënyrë të veçantë, e kanë vënë në qendër të veprimtarisë së tyre baritore për këtë vit.

Pyetje: - Atë Lombardi, ngjarja kishtare më kuptimplote e vitit ishte, sigurisht, Sinodi i Ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit, që u mbajt në tetorin e kaluar. Duhet ta shikojmë si shenjë të vëmendjes që i kushton Ati i Shenjtë kësaj teme themelore për jetën e të krishterit?

Përgjigje: - Ishte një përvojë e mirë. Atmosfera qe vërtetë e qetë, gjë tepër e rëndësishme, sepse për temën e Fjalës së Zotit ka pasur shumë diskutime – mbi ekzegjezën, mbi metodën historiko-kritike e kështu me radhë. Ndërsa në këtë rast më duket se u provua e u vu në dukje, se bashkësia e Kishës sot ka fituar plotësisht pjekurinë për një interpretim që – duke i llogaritur të gjitha përmasat kulturore e kritike, të cilat duhen pasur parasysh në komentin e tekstit kishtar – bëhet me besim të plotë në Fjalën së Hyjit, e cila shikohet si ushqim e themel i jetës së saj të krishterë. E duhet të them se Papa dha kontributin e tij me librin për Jezusin, libër model për interpretimin shpirtëror-teologjik të Shkrimit Shenjt e për t’ua komunikuar edhe të tjerëve këtë interpretim.

Pyetje: - Benedikti XVI ka treguar, në shumë raste, një vëmendje të madhe për krizën ekonomike botërore. Në pritje të enciklikës së tij shoqërore, Papa ripohon se njeriu duhet të jetë në qendër të vëmendjes edhe në marrëdhëniet ekonomike…

Përgjigje: - Natyrisht! Një gjë që më duket me rëndësi, është se të gjithë njerëzit – besimtarë ose jo besimtarë - e kuptuan me lehtësi se në bazë të tipit të kësaj krize ekonomike, janë problemet etike. Kemi të bëjmë me kërkimin e fitimit përmes zhvillimit të financës, shkëputur nga prodhimi, nga puna efektive, e kjo paguhet. Fakti që Papa i rikthehet shpesh këtij argumenti, tregon jo vetëm pjesëmarrjen e tij në vuajtjet e në vështirësitë që pësojnë shumë njerëz, si pasojë e krizës, por edhe të kujton se për të dalë prej saj, për të rindërtuar një ekonomi më të denjë e më të qëndrueshme, që i përgjigjet më mirë kërkesave të njeriut e dinjitetit të tij – kjo ekonomi duhet ndërtuar mbi bazën e vlerave themelore, që sigurojnë një zhvillim të ndershëm, solidar e të drejtë për të gjithë.

Pyetje: - Kalojmë tek një temë tjetër, që karakterizoi 2008-tën: persekutimi i të krishterëve në vise të ndryshme të botës, posaçërisht në shtetin indian të Orisës. Benedikti XVI nuk ka pushuar kurrë së ngrituri zërin për të gjithë ata që nuk kanë zë...

Përgjigje: - Po. Posaçërisht, situata në Indi e edhe, për shumë aspekte, ajo në Lindjen e Mesme, lidhen me faktin se, për fat të keq, në botën e sotme fondamentalizmat janë në rritje; e kjo çon në mohimin e respektit për fenë, për besimin e tjetrit, çon në shtypjen e tjetrit, në përdorimin e dhunës kundër atij, që beson në një fe tjetër. Është problem shumë i vështirë. Në Lindjen Mesme ndodh e njëjta gjë: fakti që shumë të krishterë detyrohen të emigrojnë, pasi përballojnë kushte tepër të vështira jetese, tregon se është vënë një pikëpyetje e madhe mbi drejtpeshimin e qytetërimeve e të bashkëjetesës, që u bëri ballë shekujve, gjatë të cilëve nuk munguan edhe ngjarjet e hidhura e tronditëse. E për ne, si njerëz të Kishës, një nga faktet më dramatike të kohës së sotme, është përdorimi i emrit të Zotit e i fesë, për të shkaktuar tensione e dhunë, në vend të harmonisë, të dashurisë e të ndihmesës, që do t’i siguronin paqen njerëzimit të sotëm. Për këtë duhet të jemi thellësisht të vetëdijshëm e vigjilentë.

Pyetje: - Viti 2009 është tek porta e tashmë njihen caqet e disa shtegtimeve të Papës, ndërmjet tyre, edhe vizita në Tokën Shenjte. Por është në program edhe Sinodi për Afrikën, në tetorin e ardhshëm, paraprirë nga shtegtimi i Benediktit XVI në Afrikë, në mars. Përveç këtyre, siç dihet tashmë, pritet edhe botimi i Enciklikës së tretë, asaj me karakter shoqëror. Ç’ shpresa mund të ushqejmë për vitin e ri?

Përgjigje: - Është e qartë se disa pika, mbi të cilat mbështen shumë shpresa, janë akoma problematike: duhet ta shikojmë me maturi vitin që fillon. Një element i qartë është ai i vëmendjes për Afrikën. Të mëdha janë vuajtjet e shumë popujve të Afrikës: të llahtarshme masakrat mbi të varfërit, të vështira situatat në të cilat njerëzve u mungon edhe buka e gojës, siç po ndodh këto ditë në Zimbabve…. Ç’duhet të bëjmë, që jo vetëm këto situata dramatike, por edhe të tjera më pak të tmerrshme, të kapërcehen e të shmangen, sepse kemi të bëjmë me një kontinent që ka mundësi të mëdha, burime tepër të pasura, jo vetëm materiale por edhe njerëzore; një kontinent që mund t’i japë një kontribut të çmuar njerëzimit e Kishës së sotme e të djeshme? Impenjimi i Papës na jep një shembull të çmuar, por të gjithë duhet t’i drejtojmë sytë nga ky kontinent në vitin që vjen.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.