2008-12-29 18:56:48

365 ditë: "Imzot Romero, Martir në Salvador".


(29.12.2008 RV)“Kryeipeshkëv i mallkuar, ruaje veten, në se nuk dëshiron ta paguash me kokë!”. Imzot Romero ngre supet e e flak letrën në kosh. Nuk është hera e parë që e kërcënojnë me vdekje. Nganjëherë kërcënimet kanë edhe datë, si ky, që është shkruar më 20 shkurt 1980, por sigurisht nuk kanë asnjëherë nënshkrim. Megjithatë imzot Romero e di fare mirë kush janë autorët: janë politikanë, zyrtarë të policisë ose miliardarë, të cilëve nuk u pëlqejnë fare predikimet tij për ndarjen e barabartë të pasurive.
Por Oskar Romero nuk frikësohet nga asnjë kërcënim. Vendi i tij, Salvadori, një shtet i vogël i Amerikës qëndrore, jeton në kushte të tmerrshme. Në krye të shtetit, politikanët komplotojnë për të siguruar pushtetin e vënë dorë mbi arkat e shtetit, pa i brerë fare ndërgjegjja. Kanë në shërbim të tyre një ushtri me njerëz, që nuk përtojnë të ushtrojnë dhunën e t’i vrasin, pa i bërë bef syri, kundërshtarët. Vendi vuan shumë nga ky çrregullim politik e ekonomik: ata pak të pasur që ka, ia kalojnë si s’ka më mirë, por shumica e popullsisë jeton në mjerim të tmerrshëm.
Imzot Romero, para se të bëhej ipeshkëv i San Salvadorit, kryeqytet i vendit, jetoi në një zonë tejet të varfër, ku pa me sytë e tij shfrytëzimin e fshatarëve, që detyroheshin të punonin, derisa u shterronin forcat, për pronarët e pasur, të cilët i paguanin shumë pak.
Për shumë kohë Oskar Romero nuk e ngriti zërin, por një ditë, kur sapo ishte emëruar ipeshkëv, një mikun e tij prift e mbytën vetëm pse kishte mbrojtur të varfërit. Ishte pika e fundit, që bie në kupën e mbushur përplot dhe e bën të derdhet. Imzot Romero zbriti në fushën e betejës. Tani e tutje në predikimet tij, në gazeta e deri në radio, dënon hapur padrejtësinë, korrupsionin e regjimit e dhunën e policisë.
E di fare mirë se fjalët e tij nuk u pëlqejnë ‘të gjithëve’, gjë që e dëshmon më së miri letra me kërcënime... Fjala e Oskar Romeros peshon rëndë, sepse ai është përfaqësuesi më i lartë i Kishës katolike në Salvador. Bëhet, kështu, njeri i padëshirueshëm, që duhet të heshtë, ose të zhduket. Po ai s’e ka fare në mend të heshtë. Kisha duhet t’u prijë njerëzve në ndërtimin e një bote më të mirë e më të drejtë. Kisha nuk mund të mbyllet në ndërtesat e saj. Kisha nuk mund e as nuk duhet të fshihet a të duartrokasë pushtetarët, sido qofshin. Kisha duhet të ngrejë zërin, edhe në se kjo mund t’i kushtojë shtrenjt.
Imzot Romero u vra më 24 mars 1980 ndërsa po kremtonte Meshën. Dy javë para vrasjes, pati deklaruar. “Në se e pranon Zoti, uroj që vdekja ime të shërbejë për çlirimin e popullit tim. E në se më vrasin, thoni atyre që do ta bëjnë këtë, se i fal e i bekoj”.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.