2008-12-28 12:34:48

Krishtlindja në Lindjen e Mesme: në Tokën Shenjte e në Irak


(28.12.2008 RV)Në Tokën Shenjte, atje ku nisi jeta tokësore e Krishtit, gjatë Meshës së mesnatës, kremtuar në Betlehem, u lartua deri në qiell një kor lavdërimesh drejtuar Hyjit, që është dritë ndër terrinat e botës.
Nata e Betlehemit ishte përplot me dritat e qirinjve, të ndezur nga mijëra besimtarë, që sivjet mbushën përplot Bazilikën e Lindjes së Krishtit. E në Bazilikë shkëlqente, si asnjëherë, rrethuar me dritëza që vijojnë të jenë ndezur, Grazhdi i Krishtit. Mijëra shtegtarë, ardhur nga të katërt anët e botës, priten me orë në radhë për të ndjekur kremtimin e Solemnitetit, kryesuar nga Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual. Kiostri i Bazilikës së Lindjes së Krishtit ushtoi nga këngët e nga tingujt e këmbanava deri në të zbardhur të dritës, kur shtegtarë e besimtarë morën pjesë në Meshën e Agimit. Duke i përfunduar kremtimet, Patriku i drejtoi një lutje prekëse Foshnjës së Betlehemit, Fëmijës së pafajshëm, të varfër e të ligësht, i cili megjithatë është i vetmi që mund t’u japë këtyre viseve, ku u mishërua, atë që u mungon, paqen! Nga Grazhdi i Betlehemit iu drejtua një thirrje e fuqishme për paqe e pajtim kombeve, popujve, njerëzve, familjeve.
Në Betlehem shtegtarët vijojnë të zbresin për t’u lutur në Shpellë, pranë Yllit që shënon pikërisht vendin ku Lindi Zoti.
 Në Irak, për fat të keq, dhuna mbi pakicat e krishtera vijoi edhe Ditën e Krishtlindjes. Vetëm në Bagdad shpërthimi i një autobombe shkaktoi vdekjen e katër personave e plagosjen e njëzet e pesë të tjerëve. Tre të vdekur të tjerë e katërmbëdhjetë të plagosur ishin viktima të një sulmi vrasës në veri të kryeqytetit. Ç’mund t’u urojmë të krishterëve irakianë në këtë atmosferë, përveç forcës së fesë për ta përballuar situatën, me bindjen se atje ku ka fe, edhe paqja nuk do të vonojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.