2008-12-28 12:34:13

Java e Festave të mëdha të fundvitit me Papën


(28.12.2008 RV)RealAudioMP3 Po fillojmë me sintezën e një jave kremtimesh e urimesh, në zemër të dimrit, stolisur me Bredha të shumngjyrshëm e sidomos me Shpella Betlehemi, në sa përgatitemi për festimin e ditës së parë të Vitit të Ri 2009 .
Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi kryesisht festën e Familjes Shenjte të Nazaretit, model i virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme për të gjitha familjet e krishtera . Duke hyrë në misterin e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të marrim mësime që sot, më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë njerëzore themele të shëndosha.

"Mbi çdo fëmijë pasqyrohet Fëmija e Betlehemit”: kështu u shpreh Papa Natën e Krishtlindjes, duke kremtuar Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në qendër të vëmendjes, thirrja për mbrojtjen e fëmijëve të keqtrajtuar e të pambrojtur si dhe për sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme. Vetëm zemra vigjilente është e aftë të besojë në mesazhin e Krishtlindjes – kujtoi Papa - vetëm zemra vigjilente mund të ketë guximin të ecë, për të gjetur Zotin me pamjen e një foshnje, në një stallë.
Papa foli edhe për Këngën e Lavdisë, që na kujton se lavdia e Hyjit është në lartësi të qiellit, por edhe se kjo lartësi e Hyjit tani ndodhet në Shpellën e Betlehemit, ku ajo që ishte e ultë, u bë tejet e lartë, ku njeriu pa se lavdia e Zotit është ajo e përvujtërisë, e dashurisë dhe e paqes.
Ku është Zoti, është paqja. Ai është atje, ku njerëzit nuk duan ta bëjnë tokën parajsë, në mënyrë të pavarur, duke përdorur për këtë qëllim edhe dhunën. Ai është mes njerëzve me zemër vigjilente; me të përvujturit e me ata që përkojnë me lartësinë e tij, lartësinë e përvujtërisë e të dashurisë. Këtyre u jep paqen, që përmes tyre paqja të hyjë në këtë botë- tha Benedikti XVI e më pas mendimi i Papës u rikthye tek mbarë fëmijët e botës:
“Mbi çdo fëmijë pasqyrohet Foshnja e Betlehemit. Çdo fëmijë lyp dashurinë tonë. Mendojmë në mënyrë të posaçme këtë natë për fëmijët të cilëve u mungon dashuria e prindërve. Për fëmijët e rrugëve, që u mungon vatra e ngrohtë e familjes. Për fëmijët që përdoren mizorisht si ushtarë, duke u bërë mjete dhune, në vend që të ishin mbartës të paqes e të pajtimit. Për fëmijët që, përmes industrisë së pornografisë dhe formave të tjera të neveritshme të shpërdorimit, plagosen deri në fund të shpirtit. Foshnja e Betlehemit na kujton të gjithëve se duhet të bëjmë ç’është e mundur që mjerimi i këtyre fëmijëve të marrë fund; të bëjmë ç’është e mundur, që drita e Betlehemit t’i prekë zemrat e njerëzve.
E pikërisht duke menduar për Foshnjën e Betlehemit, mendimi i Papës shkoi në Lindjen e Mesme, për të lartuar edhe një herë thirrjen për paqe e pajtim, atje ku dymijë vjet më parë erdhi në botë Foshnja hyjnore, që kremtojmë këto ditë.

Ditën e Krishtlindjes, pastaj, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, Papa dha bekimin Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, transmetuar nga mondovizioni.
“Hiri i Hyjit tonë Shëlbues iu duk të gjithë njerëzve”. “Jezusi lindi për të gjithë”, uroj që çdo njeri të provojë pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit, i vetmi që mund ta shndërrojë të keqen në të mirë, i vetmi që mund ta ndërrojë zemrën e njeriut e ta bëjë oazë të paqes. Drita e Foshnjës së Betlehemit ndriçon edhe dramat e vendeve të tronditura thellë nga luftërat e varfëria. Është gëzimi dhe shpresa e Benediktit XVI, që kumboi në Mesazhin drejtuar Romës e Botës, shqiptuar në mesditë nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Papa bëri një thirrje të fuqishme për paqe në Tokën Shenjte dhe në disa vende të Afrikës, që vijojnë të vuajnë prej shumë kohe.

Ditën e dytë të Krishtlindjes, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot në festën e Shën Shtjefnit, martir i parë i krishterimit, Papa i ftoi të krishterët ta mundin të keqen me forcën e së vërtetës e të dashurisë. Bëri thirrje edhe për lirimin e murgeshave të rrëmbyera në Kenia.2008-ta do të përfundojë më 31 dhjetor në Bazilikën e Vatikanit. Papa do të kryesojë Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit dhe ‘Te Deum’, lutjen e falënderimit drejtuar Hyjit në fund të vitit.

Më 1 janar, duke nisur nga ora 10. 00, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën Botërore të Paqes 2009. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjatë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve që përbëjnë titullin e tij: “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen”.

Të marten, më 6 janar, solemniteti i Dëftimit të Zotit, Papa do të kryesojë Meshën në Shën Pjetër, duke nisur nga ora 10. 00.

11 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, Mesha papnore do të kremtohet në Kapelën Sikstine, ku Ati i Shenjtë do t’ i japë sakramentin e Pagëzimit një grupi fëmijësh.

Të dielën, më 25 janar, në orën 17. 30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit, Benedikti XVI do të kremtojë Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të popujve jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.