E treta ditë e Këshndellave: Shën Gjoni Apostull e Ungjilltár (27 Dhetuer)
(27.12.2008 RV)Dje Kisha kremtoi të parin martir, sot Apostullin e dashtënisë;
dje i paraqiti Hyut të parin kelk plot gjak, sot lilin e pavrugnuem, Ungjilltarin
Virgjin. Shi kjo notë dalluese e virgjinisë âsht ajo qi ndër Apostuj vetëm Shën Gjonit
i dha tagrin të pështetëte kryet në parzmin e Shëlbuesit në Darkën e Mbrame, të gjindej
pranë Jezusit te kambët e krygjës dhe aty t’i lêhej amanet prej tij Nana e Zotit,
Virgjina Marí: “Qe yt-bir, qe nana e jote!”. Shën Gjoni u naltue, ndër shkrime
të veta, mbi Apostuj tjerë e mbi Ungjilltarë, posi shqipja dhe, në naltsinë e pamrrîjshme
të mistereve të fesë, ai mâ kjartë se të gjith, pau e shkroi mbi Fjalën e Zotit, mbi
të Dytën Vehtje të Shêjtnueshmes Triní (Antifona e të Hymit). Hyjnia e Krishtit
Zot-e-Njeri dhe dashtënija e tij ndaj nesh âsht programi i jetës së tij, âsht objekt
i shkrimeve të tija (shkroi Ungjillin, trí letra dhe Apokalipsin). Këndej shprehjet
e tija të përmenduna: “Zoti âsht dashtëní…. Tue i pasë dashtë
të vetët, s’mêni t’i duejë deri në mbarim… Bij të mij, duenje shoqisho’in!”. I
rrëmbyem në shpirt, atje në Patmos, ku në pleqní të shtyme kje dënue me mërgim në
dishmí të fesë, pau kohët e ardhshme e shkroi të vetmin libër profetik të Testamendit
të Rí: Librin e Msheftsive (Apokalipsin – Zbulesën) libër i cili endè sot mbetet
mister i paspjegueshëm.Diq prej deke të natyrshme (sadoqi vuejti e provoi salvime,
mundime e mërgime të shumta) rreth vjetës 104 mbas Krishtit. Âsht i mbrami Apostull,
qi bân dishmi mbi Krishtin “e dishmija e tij âsht e vërtetë”, kështuqi
na t’u besojmë fjalëve të tija dhe të ndjekim shembullin e jetës së tij.
Meshari
i të kremteve, Perkthye dhe zhvillue prej At Danjel Gjeçajt OFM, Romë 1966, fq. 60-61