2008-12-27 14:41:29

365 ditë: "Xhakomo Alberione, famullia e të cilit ishte bota".


(27.12.2008 RV)Ndjehet një farë ngazëllimi i pazakontë në sakrestinë e Bazilikës së Shën Pjetrit. Një mori ipeshkvijsh mblidhet rreth një prifti thatim. I shprehin kënaqësinë, e përgëzojnë… Po ç’ka këtu për të përgëzuar? E kush është ky prift, që duket se nuk e ndjen veten mirë në mes të gjithë këtij entuziazmi?
Jemi më 4 dhjetor 1963, Koncili është në kulmin e zhvillimit. Këto ditë etërit konciliarë miratojnë një dekret, Inter Mirifica. Një revolucion, në pamjen e parë. Ky dokument i jep ‘të drejtë të plotë qytetarie’ në Kishë, mjeteve të komunikimit shoqëror për kumtimin e Ungjillit! Është njëlloj si të thuash të ungjillëzosh me libra, me radio, me televizion ose me kinema, e sot edhe me internet…
Një risi absolute? Në të vërtetë po në këtë ditë prifti imcak, don Xhakomo Alberione i rrethuar me gjithë këtë entuziaëm, krejt i lum, u shkruan bijve e bijave të tij të shumta, shpërndarë në të katër anët e botës: “Misioni ynë njihet nga Kisha edhe më zyrtarisht sesa atëherë, kur na u dha miratimi papnor. Kumtimi i Ungjillit përmes mjeteve të komunikimit vihet, më në fund, në të njëjtin plan me ‘predikimin gojor’…”.
Kanë kaluar vite – më se një gjysëm shekulli – nga nata e 31 janarit 1900…
Atë natë, Jozefi – ky ishte emri i tij – seminarist në lule të moshës e në kulmin e zellit, ndalet, pas Meshës solemne të Mesnatës, për t’u lutur për shekullin e ri në Katedralen e Albës. Papritmas, një dritë e papërballueshme rrezaton nga tabernakulli! Siç do të rrëfente shumë më vonë, atë natë kupton se duhej të bënte patjetër diçka të veçantë, të re “për Zotin e për njerëzit e shekullit të ri”.
E kush do ta kishte besuar? Pikërisht atë, “çirakun e vogël e të panjohur për prift”, nga një familje fare e thjeshtë, Zoti e zgjedh për një detyrë entuziamuese e revolucionare. T’u çojë Ungjillin të gjithëve, me një shtyp të mirë e me të gjitha mjetet e komunikimit, që njerëzimi do t’i shpikë me hirin e provanisë hyjnore. Për këtë mision të padëgjuar, Don Alberione u drejtohet të rinjve. Shumë djem e vajza i përgjigjen kësaj thirrjeje. E ai i përgatit me metoda të reja, i bën të ëndërrojnë, duke u treguar horizonte të pakufishme dhe qëllime mahnitëse. Zgjedh Shën Palin Apostull si frymëzues e mjeshtër të misionit, sepse ai pati një dashuri të pakufishme për Ungjillin e ua hapi zemrën mbarë popujve e gjithë kulturave. Nga frymëzimi i tij lindin dhjetë Institute – të parat: Shoqëria e Shën Palit e Bijat e Shën Palit – që më pas do të njihen në Kishë me emrin ‘Misionet e Shën Palit’.
Për don Alberionin duhet kujtuar lavdërimi që i bëri Papa Pali VI më 28 qershor 1969, duke i dorëzuar një çmim të rëndësishëm: “Ja: i përvujtë, i heshtur, i palodhshëm, gjithnjë syhapur, gjithnjë i thelluar në mendime, që nisen nga lutja për t’u bërë vepër, gjithnjë plot vëmendje për të shqyrtuar shenjat e kohëve... Don Alberioni ynë i dha Kishës mjete të reja për t’u shprehur; mjete të reja, për t’i dhënë forcë e hapësirë misionit të saj në botën moderne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.