2008-12-26 14:38:01

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot: të krishterët ta mundin të keqen me forcën e së vërtetës e të dashurisë. Thirrje për lirimin e murgeshave të rrëmbyera në Kenia


(26.12.2008 RV) RealAudioMP3 Në festën e Shën Shtjefnit, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri thirrje për lirimin e dy rregulltareve italiane, rrëmbyer më se një muaj më parë në Kenia, si dhe për të gjithë njerëzit e rrëmbyer në të katër anët e botës. Më pas u tregoi të krishterëve si model, që meriton të ndiqet, martirin e parë të Kishës, i cili vdiq si Krishti, duke i falur ata që flaknin pa pikë mëshire gurë mbi trupin e tij të mbytur në gjak.
Në gjurmët e Shën Shtjefnit, të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, duke e jetuar me vërtetësi e dashuri. Këtë thirrje u bëri Papa, në ditën e dytë të Krishtlindjes, besimtarëve, duke kujtuar martirin e parë të krishterë, që e mbytën për shkak të predikimit të tij të guximshëm.
Por pikërisht kjo dëshmi qe vendimtare për kthimin e Saulit të Tarsit:

“Sauli e persekutonte Kishën, madje bashkëpunoi në mbytjen e Shën Shtjefnit; e pa duke vdekur nën goditjen e gurëve e posaçërisht e pa si po vdiste: ashtu si Krishti, duke u lutur e duke i falur salvuesit e tij”.

 
Festa e Shën Shtjefnit - tha në përfundim Ati i Shenjtë – na kujton se jemi të thirrur ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit: ndonëse vuajtja është pjesë e jetës, nuk duhet harruar se Zoti, i cili hyn personalisht në histori, ka pushtetin të na shpëtojë përmes saj. Me këtë besim të patundur duhet jetuar, edhe atëherë kur jeta e gjuan të krishterin me gurë, si Shën Shtjefnin.







All the contents on this site are copyrighted ©.