Meditim për martirizimin e krishterë, në festën e Shën Shtjefnit
(26.12.2008 RV)Shtjefni, i nderuar
si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit,
i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin
mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur
për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit
(Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit. Sipas një gojëdhëne, në vitin 415
një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jeruzalemit,
pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën
latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat
nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit.
Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në
Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).
Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se
martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun. U
mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte
vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me
martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e
të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e
martirët të japin jetën për Ungjillin. Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë
dalluese e martirizimit të krishterë, si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke
përfshirë edhe persekutorët. Prandaj të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i
dashur edhe armiqtë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për
persekutorët e tij. Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas
hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jeruzalem
e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona. Shpesh herë edhe sot
nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij,
rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar,
të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës
të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak
të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës, duke aktualizuar fitoren
e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen. Festa e Martirit të parë të krishterimit
kremtohet më 26 dhjetor, dmth menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është
Pajtor i shumë qyteteve, katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen
dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën
Rozafa, ku çdo vit më 26 dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e një numri të madh
besimtarësh, kremtohet mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë se shqiptarët
luftonin nga këto ledhe kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën e Shenjtit Pajtor,
Shtjefnit martir, në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit për mbrojtjen
e Shqipërisë e të Evropës së krishterë. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori
veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet
botërisht një nga kryeprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.