2008-12-26 14:39:09

E dyta ditë e Këshndellave: Shën Shtjefni, i pari martir


(26.12.2008 RV)Dje - thotë Shën Fulgjenci - kemi kremtue lindjen, në kohë, të Mbretit tonë të amshuem, sot festojmë dekën ngadhnjyese t’ushtarit të tij besnik. E njimend, Shën Shtjefni âsht i pari Martir, qi me gjak të vetin vulosi hyjninë e Krishtit.
I caktuem prej Apostujve si Djakon në shërbimin e elterit dhe në mbarështrimin e t’ardhunave prej besimtarëve të parë të Kishës, Shën Shtjefni kapet prej Judejve të Jeruzalemit dhe qitet para trupit gjykues (Sinedrit). Shum herë perpara ishte xanë me ta mbi mësimet e Krishtit dhe mbi fenë e ré qi hapej mrekullueshëm. U kishte kundershtue me arsye e argumenta qi vetëm Shpirti Shêjt mund t’ia frymzonte në të tilla rasa. As në gjykatore anmiqt nuk dijnë t’i pergjegjin: perdorojnë forcën në vend t’arsyetimit: e dënojnë për dekë dhe e mbysin me gur, ndërsa ai lutet për ta simbas mësimeve të Mjeshtrit hyjnuer.
Mesha e soçme âsht e intonueme mbas këtij modeli të shkëlqyeshëm.
Historija e Shën Shtjefnit âsht historija e Kishës; âsht historija e jonë edhe pse jo e përgjakshme. E ka parafolë vetë Krishti (Ungjilli).
Po deshtëm, prandej, me ia ngjá Krishtit dhe me ndjekë rrugën, qi na mëson Shën Shtjefni, duhet qi edhe na ta martirizojmë vedin, egoizmin tonë, prirjet shrregullueme të natyrës e veset tona. Vetëm atëherë kemi për të dalë fituesa dhe nji ditë, kurdò kjoftë kjo, kemi për të pá qiellët e hapuna e të Birin e Zotit, qi ka për të na grishë pranë tronit të vet ne e djathtën e Atit qielluer (Antifona mbas Kungimit).
 Meshari i të kremteve, Perkthye dhe zhvillue prej At Danjel Gjeçajt OFM, Romë 1966, fq. 53-54







All the contents on this site are copyrighted ©.