2008-12-25 19:13:27

Rubrika ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’: Ora zero e vitit 1 pas Krishtit në trojet shqiptare.


(25.12.2008 RV)Rubrika ‘Shtigjeve të Krishtlindjes na çon sot në trojet shqiptare, në orën zero pas Krishtit!
Nata e thellë, e heshtur, kishte mbështjellur gjysmën e Planetit. Mbi fiset: Epirotas, Enkelej, Kelidonë, Taulantë, Ardej, Vardej, Labeatë, Dardanë, Dalmatë... që lageshin nga ujërat e dy deteve e s’kishin ende një emër të përbashkët, kishte rënë një errësirë e praruar. Ashtu si e praruar ishte gjysma e botës, në sa mbi gjysmën tjetër ndriste një diell tejet vezullues.
Njerëz, të mbërthyer në metal, me shpata të ngjeshura në brez; barinj, si barinjtë e të gjitha kohëve, veshur me gozhupë, sepse maja e dimrit; gra me xhubleta e fëmijë përgji shikonin në qiell një Yll të pazakotë. Kometa lëshonte dritën e vet të ëmbël mbi gjysmën e botës, që atë natë nuk e merrte gjymi, me parandjenjën e një risie të panjohur. Trojet, që s’e dinin as vetë si quheshin, që shumë më vonë do të quheshin Albani, vendi i agimeve të bardha, nuk e dinin as se diku larg, në një vend që s’ia kishin dëgjuar kurrë emrin, në Betlehem, kishte lindur një Fëmijë. “Ç’po ndodh kështu?”, pyesnin gratë ilire me fëmijë për gjiri. “Ç’po ndodh?”, pyesnin barinjtë, që ruanin grigjët në bjeshkë, njëlloj si barinjtë e Betlehemit. “Ç’po ndodh?”, pyeste shqetësueshëm orakulli i Delfit, që vegonte si rroposeshin elterët e zotave të rremë, të cilët asokohe sundonin të patrazuar mbi këto troje, të njohura nga bota helenike si Pellazge e mandej si Ilire. Populli, që shtegtonte në terrina, pau një dritë të madhe; për ata që banojshin në tokën e hijes së vdekjes, zbardhi drita! Kometa lajmëronte se edhe mbi këto troje do të ndriste një dritë e re, që do t’ua ndërronte faqen. Krishti kishte lindur në Betlehem edhe për këto njerëz shtatmëdhenj të shkapërhapur në fushat, kodrinat e më shumë në malet, ku haheshin me hijet e luftonin me kuçedrat. Edhe atyre u ishte falë një djalë, një “Këshilltár i bindshëm”, “Perëndí i fuqishëm”, “Atë i përjetshëm”, “Princ i paqës”.
Mbi pergamenën e trojeve ilire do të shkruheshin faqe të reja të historisë, të lidhura pikërisht me Foshnjën ende të panjohur, lindur në një shpellë të shkretë në Palestinë, si shpellat e tyre, ku lindnin fëmijët gjatë sulmeve të paprera, lakmitare të të huajve. Foshnja Hyjnore e ndante kohën në dy pjesë: hapej edhe këtu faqja e parë e një libri të ri: Librit të mrekullive, librit të krishetrimit. Iliria, nën dritën e ëmbël të Kometës, jetonte orën zero të vitit 1 pas Krishtit!
Nuk do ta shfletojmë këtë libër si të ishte një album kujtimesh, sepse edhe kur kujtojmë të kaluarën, na flet për një Lajm gjithnjë të ri, që vijon të pëhapet në vise, në kohë e në zemra.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.