2008-12-25 19:27:31

Për shumë vjet Krishtlindjen 2008!


(25.12.2008 RV)“Sot një dritë e shkëlqyer zbriti mbi tokë... Është Lindja e Krishtit! Ngjarje historike e mister i dashurisë, që prej dymijë vjetësh u flet burrave e grave të çdo epoke e të çdo vendi!
Është dita e shenjtë, në të cilën vezullon drita e madhe e Krishtit, që sjell paqen! Natyrisht, për ta njohur, duhet përvujtëri! Përvujtëria e Marisë, që besoi në fjalën e Zotit dhe adhuroi e para, e përkulur mbi grazhd, Frytin e kraharorit të saj; përvujtëria e Jozefit, njeriut të drejtë, që pati guximin e fesë e i duk më e arsyeshme t’i bindej Hyjit, se sa të ruante namin e vet të mirë; përvujtëria e barinjve, e të varfërve, e njerëzve të panjohur, që pranuan kumtin e lajmëtarit qiellor dhe u nisën për ngut drejt Shpellës, ku gjetën Foshnjën e sapolindur dhe, të mrekulluar, e adhuruan, duke lavdëruar Hyjin.Urojmë prandaj që në këtë Krishtlindje 2008 Krishti të hyjë në zemrat tona, t’i ndriçojë e t’i ngrohë shtëpitë tona, të sjellë qetësi e shpresë në qytetet tona, t’i japë botës paqen. Ky është urimi ynë për të gjithë ju, që na dëgjoni. E ky urim bëhet lutje e përvujtë e plot besim në Krishtin Fëmijë, që drita e tij të davarisë errësirën nga jeta jonë, të na mbushë me dashuri e paqe e të na bëjë ndërtues të palodhur të Mbretërisë së drejtësisë, të dashurisë e të paqes!







All the contents on this site are copyrighted ©.