2008-12-25 15:19:39

Mesazhi Urbi et Orbi - Romës e Botës, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit (Tekst i plotë)


(25.12.2008 RV)Apparuit gratia Dei Salvatoris nostri omnibus hominibus” (Tit 2,11).

Të dashur vëllezër e motra, me fjalët e Shën Palit Apostull përsëris kumtimin e gëzueshëm të Lindjes së Krishtit: po, sot “iu duk të gjithë njerëzve hiri i Hyjit tonë Shëlbues”.

U duk! Këtë kremton Kisha sot. Hiri i Hyjit, plot mirësi e butësi, nuk është më i fshehur, u duk me mish e gjak, e tregoi fytyrën e vet. Ku? Në Betlehem. Kur? Nën Qesarin August, gjatë regjistrimit të parë, për të cilin flet edhe Luka ungjilltar. E kush është ai që na e dëftoi? Një i posalindur, Biri i Virgjërës Mari. Në të u duk hiri i Hyjit tonë shëlbues. Prandaj ky fëmijë quhet Jehoshua, Jezus, që do të thotë ‘Zoti shpëton!’.

Hiri i Hyjit u duk: ja pse Krishtlindja është festa e dritës. Jo një dritë e plotë, si ajo që ndriçon gjithçka në mes të ditës, por një vezullim që ndriçon natën e përhapet duke u nisur nga një pikë e caktuar e Universit: nga Shpella e Betlehemit, ku doli në dritë Foshnja Hyjnore. Në të vërtetë Ai vetë është Drita që përhapet kudo, siç paraqitet në shumë piktura kushtuar Lindjes së Tij. Ai është drita që, duke u dukur, davarit mjegullën, ndriçon errësirën e na ndihmon të kuptojmë domethënien e jetës e të historisë. Çdo Shpellë Betlehemi është ftesë e thjeshtë e shprehëse për t’ia hapur mendje e zemër misterit të jetës. Është takim me jetën e pavdekshme, që u bë e vdekshme në mistiken e skenës së Krishtlindjes; një skenë që mund ta admirojmë edhe këtu, në këtë Shesh, si në kisha e kapela të panumërta të mbarë botës e në çdo shtëpi ku adhurohet emri i Jezusit.

Hiri i Hyjit iu duk të gjithë njerëzve. Po, Jezusi, fytyra e Hyjit-që-shëlbon, nuk iu duk vetëm pak njerëzve, disave, por të gjithëve. Është e vërtetë, në banesën e përvujtë e të pastoli të Betlehemit e takuan pak njerëz, por Ai erdhi për të gjithë: judenj e paganë, të pasur e të varfër, të afërt e të largët, besimtarë e jo besimtarë… për të gjithë! Hiri i mbinatyrshëm, për vullnet të Hyjit, i përket çdo krijese. Por, që zemra të ndriçohet nga një rreze e kësaj drite hyjnore, duhet që çdo njeri ta pranojë, t’i thotë ‘po’, ashtu si i tha Maria. Atë natë Fjalën e mishëruar e pranuan Maria e Jozefi, që e pritën me dashuri, e barinjtë, që ruanin grigjët aty pranë. (cfr Lk 2,1-20). Një bashkësi e vogël, pra, që ngarendi ta adhurojë Krishtin Fëmijë; një bashkësi e vogël, që përfaqëson Kishën dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë. Edhe sot Hyjin, që për dashuri u bë vëllau ynë, e takojnë ata, të cilët e pranojnë dhe e kërkojnë: ata që e kërkojnë me zemër, që dëshirojnë t’ia njohin fytyrën e të ndihmojnë për ardhjen e Mbretërisë së tij. Do të na e thotë vetë Jezusi në predikimin e tij: janë skamnorët në shpirt, ata që qajnë, që janë të butë, që kanë uri e etje për drejtësi, të mëshirshmit, që e kanë zemrën e pastërt, që punojnë për paqen, që salvohen, pse bëjnë çka thotë Zoti (cfr M 5,3-10).
Këta njohin në Jezusin fytyrën e Hyjit e rinisen, si barinjtë e Betlehemit, me zemër të përtërirë nga gëzimi i dashurisë së Tij.

Vëllezër e motra, që më dëgjoni, i përket mbarë njerëzve kumtimi i shpresës, që përbën zemrën e mesazhit të Krishtlindjes. Krishti lindi për të gjithë e, ashtu si Maria ua tregoi barinjve në Betlehem, sot Kisha ia paraqet mbarë njerëzimit, që çdo njeri e çdo situatë njerëzore të mund të provojë pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit, i vetmi që mund ta shndërrojë të keqen në të mirë, i vetmi që mund ta ndërrojë zemrën e njeriut e ta bëjë oazë të paqes.

Uroj që pushtetin e hirit shëlbues të Hyjit ta provojnë popullsitë e shumta që vijojnë të jetojnë në errësirën e në hijen e vdekjes (cfr Lk 1,79). Uroj që Drita hyjnore e Betlehemit të përhapet në Tokën Shenjte, ku duket se horizonti po errësohet sërisht për izraelitët e palestinezët; të përhapet në Liban, në Irak e kudo në Lindjen e Mesme, duke i bërë të frytshme përpjekjet e atyre, që nuk dorëzohen para logjikës së mbrapshtë të konfliktit e të dhunës, por zgjedhin rrugën e dialogut e të bisedimeve, për të shuar tensionet e brendshme të vendeve të ndryshme e për të gjetur rrugëzgjidhje të drejta e të qëndrueshme për konfliktet që trondisin mbarë zonën. Këtë Dritë që shndërron e përtërin e dëshirojnë me gjithë zemër banorët e Zimbabves, në Afrikë, të shtrënguar prej shumë kohe në morsën e një krize politike e shoqërore që, për fat të keq, vijon të bëhet gjithnjë më e rëndë; ashtu si dhe burrat e gratë e Republikës Demokratike të Kongos, posaçërisht të zonës së martirizuar të Kivusë, në Darfur të Sudanit, e të Somalisë, ku vuajtje të pafundme pasojnë mungesën e stabilitetit e të paqes. Këtë Dritë e presin sidomos fëmijët e këtyre viseve e të gjitha vendeve, të cilat kalojnë periudha të vështira, që t’u rikthejë shpresën e ardhmërisë.

Atje ku shkelen dinjiteti e të drejtat e njeriut, ku egoizmi personal ose i grupeve zotëron mbi të mirën e përbashkët, ku ekziston rreziku që njerëzit të mësohen me urrejtjen vëllavrasëse e me shfrytëzimin e njeriut prej njeriut; ku luftërat e brendshme përçajnë grupe e etni e trondisin bashkëjetesën; ku terrorizmi vijon të godasë, ku mungon edhe çka është e domosdoshme për të jetuar; ku shikohet me shqetësim ardhmëria, që po bëhet gjithnjë më e pasigurtë, edhe në Kombet e mirëqenies, atje ndriçoftë Drita e Krishtlindjes e u dhëntë zemër të gjithëve të kryejnë detyrën që u takon, me frymën e solidaritetit të vërtetë! Në se njeriu shikon vetëm interesat e veta, bota nuk mund të mos shkojë drejt shkatërrimit.

Të dashur vëllezër e motra, sot u duk hiri i Hyjit Shëlbues” (cfr Tt 2,11), në botën tonë me fuqinë e ligështitë e veta, me progresin e krizat, shpresat e ankthet. Sot ndrit drita e Jezu Krishtit, Bir i të Tejetlartit e bir i Virgjërës Mari: “Hyj prej Hyji, Dritë prej drite, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. Për ne e për shëbimin tonë zbriti nga qielli”. E adhurojmë sot në të katër anët e tokës, të mbështjellë në fasha e të vënë në një grazhd të varfër. E adhurojmë në heshtje, ndërsa Ai, ende ferishte, duket sikur na ngushëllon e na thotë: Mos kini frikë, “Unë jam Hyji e nuk ka të tjerë përposë meje! (Is 45,22). Ejani tek unë, burra e gra, popuj e kombe, ejani, mos kini frikë: erdha t’ju sjell dashurinë e Atit, t’u tregoj udhën e paqes!

Të shkojmë, pra, vëllezër! Të shpejtojmë, ashtu si barinjtë në natën e Betlehemit. Zoti erdhi tek ne e na tregoi fytyrën e tij, të pasur me hir e me mëshirë! Mos të jetë e kotë për ne ardhja e Tij. Ta kërkojmë Jezusin, të na ndriçojë drita e tij, që davarit nga zemra e njeriut trishtim e frikë: t’i afrohemi me besim e të përkulemi përvujtërisht për ta adhuruar.
Për shumë vjet Krishtlindjen të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.