2008-12-24 16:12:35

Stille Nacht: Himni botëror i Krishtlindjes


(24.12.2008 RV)RealAudioMP3 Në këto ditë të mëdha, në atmosferen Krishtlindjes 2008, me qindra herë kemi dëgjuar në radio, në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme “Stille Nacht” - “O e qeta natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge, ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën?
Fjalët qenë shkruar natën e Këshëndellave 1818, nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salsburgut (Austri).
Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc Xavier Gryber (1787-1863), organist i qytezes së afërme, Arsndorf.
Sipas dëshirës së Mohr, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitarra.
Mohr vetë e këndoi motivin dhe e shoqëroi me kitarrë, ndërsa Gruber bëri pjesën e basit.
Fjalët dhe motivi muzikor u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himni i përbotshëm i Krishtlindjes”.
Autorët e këngës nuk figurojnë në asnjë Encikopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht” është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjenden në të gjitha Encikolopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive.
Shumë shpejt kjo këngë u këndua edhe në Shqipëri. Ishte fillimi i shekullit, kur Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu dhe “ O e qeta natë” u këndua për herë të parë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920.
Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit, një nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës:

Flej, o Qielluer,
Zojes në krahnuer.
Flej, mos kjaj,
ndale at’vaj.
Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet me fjetë,
pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtete.
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri,
Ty gjithë dashtëni,
rrin tuj t’ruejtë,
ambël prujtë,

 
Ditë do t’vinë, O shelbues, me u mekë;
Ka me të ra mbi një krygje ty me dekë !
Jezus për p’shtim të gjithë neve,
Jezus për p’shtim të gjithë neve!
 
Varianti besnik i këngës, është ai i përkthyer prej gjuhës gjermane nga Atë Pjetër Meshkalla S.J:
 Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Krishti i lum sot ka le;
Shih si qeshet e bukura f’tyr’,
Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’
Flej, o i bukuri, flej
Flej, se shpresa je Ti.

 
 
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë
Krishti f’mijë i Zoj’s Mari
Qe, në prehen sa mir’ po i rri,
Ejt’këndojnë me brohori:
Erdh i lumi Mesi
Erdh i lumi Mesi.

 
 
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,
Me shpejti vijnë barijt
Me shikue k’te bukuri,
Me adhrue njik’te fëmijë
Krishti plot dashuni,
Krishti plot dashuni! 
Le të jehojë, pra, me fjalët shqipe, kjo kryevepër botërore, në Kishat tona që këtë vit, për të shtatëmbëdhjetën herë mbas dekadave pa Këshëndella, shtrojnë kashtën shqiptare në grazhdet e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin dhe i këndojnë nina-nanën në gjuhën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.