2008-12-24 20:23:31

Krishtlindje: nga Vatikani, në Tokën Shenjte


(24.12.2008 RV)Sonte në Sheshin e Shën Pjetrit u kremtuan lutjet e mbrëmjes, që paraprinë përurimin e Shpellës së Betlehemit. Lajtmotivi i lutjeve, kryesuar nga kardinali Tarçizio Bertone: ‘Krishti është dritë’.
Si foli për simbolet e Natës së Madhe, Shpellën e Betlehemit e dritën e paqes, kardinali Bertone reflektoi për Krishtlindjen në rrjedhë shekujsh, duke nisur nga ajo e dymijë vjetëve më parë, kur Foshnja Hyjnore lindi në Betlehem, tek Krishtlindja 2008, kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë e atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si dhuratë vetveten.
Krishti është dritë, duket ta pranojmë plotësisht këtë mesazh, që përsëritet në shekuj. Krishti na fton ta ndezim dritën e mirësisë e të paqes e, për të ndërtuar një botë paqësore, të pranojmë ftesën e Engjëjve: “Lumni Zotit e paqe njerëzve që ai i do!”.
Ndize, pra dritën e paqes e dritën e shpresës për të gjithë: për familjet, që mezi arrijnë të sigurojnë një jetë dinjitoze, për njerëzit që e kalojnë festën në burg, në spital në vetmi e në harresë.
Ndize dritën tënde, për të pritur Krishtin, që është Dritë, duke ndenjur zgjuar pranë Marisë, që në heshtje të thellë pret, bashkë me fatin e vet Jozefin, të përmbushet premtimi i kahmotshëm! Të rrimë zgjuar e të lutemi kështu, duke pritur plot shpresë që Krishti të lindë edhe në zemrat tona!
Me këtë ftesë për shpresë e me sigurinë e lindjes së Krishtit ndër zemra, përfundoi nata e lutjes. Benedikti XVI ndezi dritën e paqes në pragun dritares së studios së tij private dhe i bekoi besimtarët. U hap kështu perdja që mbulonte Shpellën e Betlehemit në mes të Sheshit të Shën Pjetrit. Akti i parë i Natës së Madhe në Vatikan. Akti i dytë e kulmor: Mesha e Mesnatës, kryesuar nga Benedikti XVI.

E ndërsa në Vatikan besimtarë e shtegtarë nga mbarë bota sodisin Shpellën e Betlehemit, atje ku ndodhet Shpella e vërtetë, në Tokën Shenjte, Patriku i ri i Jeruzalemit të Latinëve, imzot Fuad Tuall, njoftoi me gëzim të madh, gjatë një konference shtypi, dëshirën e Benediktit XVI për të shtegtuar në Tokën e Shenjtë vitin e ardhshëm. Pastaj, si foli për kushtet e rënda në të cilat jeton pakica e krishterë, uroi një ardhmëri plot shpresë e paqe për Tokën e Jezusit.

Ushton urimi për paqe në Lindjen e Mesme, por paqja duket e largët. Natën e Madhe të lindjes së Krishtit, mijëra të krishterë irakianë detyrohen të braktisin shtëpitë e të nisen për të kërkuar një strehë të panjohur, si Maria e Jozefi dymijë vjet më parë. E vështirë kjo Krishtlindje në Irak, ku kaosi e dhuna janë në rendin e ditës e ku situata e të krishterëve është vërtetë e dhimbshme.

E dhe në Indi Krishtlindja është e ngarkuar me tension, sidomos për të krishterët e Orisës, që e presin të drojtur këtë Natë të Madhe, të vënë në provë të rëndë pas sulmeve vdekjeprurëse, si ato të Mumbait.
Megjithatë të krishterët kremtojnë: në viset e pasura e të varfëra, ku ka siguri e ku siguri nuk ka; ndezin dritën e tyre, për të pritur Dritën, Jezu Krishtin!







All the contents on this site are copyrighted ©.