2008-12-24 16:13:12

365 ditë: "Zhenevievë de Gol-Antonioc shikonte Zotin në çdo fytyrë"


24.12.2008 RV)Një mbrëmje, gjatë një darke, Zhenevievë u takua me Jozef Vreshinskin, meshtarin që jeton në Kampin e Nuazi-lë-Grâ, ku banojnë familjet më të varfëra të Francës. Atë Vreshinski e fton Zhenevievën të shkojë për të vizituar kampin. Kështu sot ajo është atje, para barakave spartane… e i dridhet zemra duke i parë. Jemi në vitin 1958 e shumica e francezëve jeton në kushte të mira. Shumkush nuk do ta besonte se ka njerëz kaq të varfër. Ndërmjet tyre, edhe gruaja, që mbetet pa mend nga gjithë ky mjerim. Duhet bërë diçka pa tjetër. Ajo ka një karakter të zjarrtë e një fe që tund nga vendi malet… Është grua që di t’i shpërvjelë mëngët, gjë që e ka dëshmuar duke vënë edhe jetën në rrezik. Në vitin 1940, kur nazistët pushtuan Francën ajo ishte përkrah të ungjit, gjeneralit të famshëm De Gol, që udhëhoqi çlirimin e vendit. Ishte vetëm njëzet vjeçe, kur luftoi në radhët e partizanëve. Në vitin 1943 u internua në një kamp përqendrimi, ku u rikthye në fe, duke parë se nazistët, me gjithë mizorinë, dhunën e përbuzjen për njerëzit, nuk arrinin dot ta shkatërronin dinjitetin e të burgosurve. Aty pa Zotin në fytyrën e njerëzve që vuaniun në këtë kamp çnjerëzor. Si përfundon lufta, Zhenevievë martohet me Bernard Antonioc, partizan si ajo, e kanë tre fëmijë. Zhenevievë nuk mbyllet brenda mureve të shtëpisë, por vijon të merret edhe me të tjerët. E kështu, në këtë ditë të vitit 1958, në Kampin e Nuazi, Gruaja guximtare vendos të nisë një aventurë të re, a më mirë të themi, një betejë të re : betejën kundër varfërisë, përkrah Atë Vreshinskit. Ashtu si në kampin e tmerrshëm të përqendrimit ku ishte, Zhenevievë shikon Zotin në fytyrën e banorëve të Nuazi-lë-Grâ, secili nga këto njerëz është i shenjtë e meriton ta ruajnë dinjitetin e vet.
Zhenevievë bëhet kryetare e ‘ATD’ (Aide à toute détresse) – ‘Ndihmë për gjithë të mjerët; Bota e Katërt’, themeluar nga Atë Vreshinski. Kjo shoqatë nuk mjaftohet me ndihma në para: t’i ndihmosh njerëzit, do të thotë t’i bësh zotër të jetës së tyre. Atë Vreshinski dhe Zhenevievë duan t’i ndihmojnë të varfërit të shpëtojnë nga mjerimi me forcat e tyre. Duan edhe që qeveria t’i njohë këta njerëz, që jetojnë në kushte të papranueshme. Duan ligje që krijojnë kushte për më shumë drejtësi e barazi ndërmjet francezëve.
Kjo ishte lufta e fundit e Zhenevievës: në vitin 1998 , pak para se të vdiste në moshën shtatëdhjetë e shtatë vjeçe, arriti të siguronte miratimin e një ligji kundër braktisjes së njerëzve të varfër !

 







All the contents on this site are copyrighted ©.