2008-12-23 18:31:26

“Zoti ka nevojë për fenë tuaj”: mesazh i Papës drejtuar të rinjve të thirrur në Bruksel nga Bashkësia e Tezesë.


(23.12.2008 RV)RealAudioMP3 Papa inkurajon të rinjtë, që do të marrin pjesë në takimin ekumenik, organizuar nga Bashkësia e Tezesë. Sivjet takimi do të mbahet në Bruksel, nga 29 dhjetori deri më 2 janar 2009. Në qendër të reflektimit, tema “Ndërtimi i Evropës së besimit”. Nis kështu një etapë e re e shtegtimit të besimit në të ardhmen, organizuar fillimisht 30 vjet më parë nga Vëllau Rozhe, themelues i Bashkësisë së Tezesë, vrarë në gusht të vitit 2005.
Në një mesazh, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, Papa u jep bekimin apostolik të gjithë vëllezërve të Tezesë.
Ndërsa 40 mijë të rinjve, që priten në kryeqytetin belg nga mbarë Evropa e edhe nga kontinentet e tjera, Benedikti XVI u drejtohet me fjalët: “Zoti ka nevojë për ju, për krijimtarinë tuaj, për shpirtin tuaj të iniciativës, sepse ju kërkoni burimin e shpresës për vete e për botën, duke ia hapur zemrën Krishtit me lutje e me dëgjimin e Fjalës së Tij”. Kështu shkruan Papa e, në vijim, i fton të rinjtë ta komunikojnë shpresën edhe rreth vetes, duke e vënë jetën e tyre në shërbim të një bote, ku ka tepër mjerim, padrejtësi e konflikte.Por, si u përgatit Bashkësia e Tezesë për ta jetuar këtë takim të ri? Në mikrofonin tonë, vëllau Alois, epror i Bashkësisë:

Përgjigje: - Po, është bërë një përgatitje e kujdesshme. Disa vëllezër shkuan në Bruksel gjatë gjithë vitit për të përgatitur takimin me famullitë, sepse duhet të kërkojmë si mund ta shprehin të rinjtë fenë e tyre sot e, sidomos, si mund ta jetojnë në bashkim me Kishën. Duhet të kërkojmë forma të reja.

Pyetje: - Vëlla Alois, ne dëgjojmë shumë shpesh lajme të këqija, i shikojmë të rinjtë me syrin e mediave. Po, ju që jeni gjithnjë në lidhje të drejtpërdrejtë me të rinjtë, me ç’ sy i shikoni? Sigurisht shikoni një botë tjetër, të ndryshme nga ajo që shikojmë ne, plot dhunë e padrejtësi….
 
Përgjigje: - Po, por edhe kur lindi Krishti, bota kështu ka qenë, plot dhunë e pa paqe. Duhet të mësohemi ta shikojmë botën ashtu si e shikon Zoti, e atëherë do të vërejmë plot shenja shprese, do të shikojmë se ka shumë, shumë njerëz, që bëjnë gjithçka munden për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.