(23.12.2008 RV)“Meshtar e teolog
, i lindur në Keti apo Kanc të Polonisë në vitin 1390, qe mësues e model për brezni
të tëra meshtarësh. Shërbeu si famullitar në Olkuz. Shpirti i lutjes e i pendesës,
dashuria e tij e pashterrshme për të gjithë e, posaçërisht, për të varfërit, i japin
një vend të dalluar në shekullin e madh të shenjtorëve në Poloni”. Kështu shkruhet
në ‘Mesharin Romak’ për Shën Gjonin e Ketit Ndërsa në ‘Martiriologun Romak’ lexojmë:
“Shën Gjoni nga Keti, meshtar, pas shugurimit dha mësim për shumë vjet në Universitetin
e Krakovisë. Më pas u ngarkua me detyrën e kujdesit baritor në famullinë e Olkuzit,
ku u shqua për virtytin e dëshmisë së një feje të thellë, duke u bërë kështu për bashkëpunëtorët
e dishepujt e tij, model dashurie e bamirësie ndaj të afërmit”. Mjaftojnë dy ngjarje
të vogla nga jeta e Shenjtit, për ta kuptuar përvujtërinë e, njëkohësisht edhe mprehtësinë
e tij të jashtëzakonshme: Së pari kujtojmë se shtegtoi katër herë në Romë, duke
e bërë gjithë rrugën, shkuarje e ardhje, në këmbë. Së dyti, kur ishte profesor
i mirënjohur i katedrës së famshme të Universitetit të Krakovisë, prej nga do të fliste
shumë më vonë edhe Karol Vojtila, një ditë u nis për të marr pjesë në një gosti,
ku ishte ftuar, i veshur me rroba të vjetra. Shërbëtori nuk e la të hynte. Iu desh,
atëhere, të shkonte e të ndërronte rrobat e të rikthehej në pallatin ku jepej pritja.
E lanë menjëherë të hynte por, gjatë darkës, një kamerier i pakujdesshëm, i derdhi
një gotë verë mbi rrobat e reja. Gjoni qeshi e tha: “Është e drejtë që edhe petku
im të ketë pjesën e vet, sepse falë tij munda të hyj në këtë vend”. Vdiq në Krakovi
të Polonisë natën e Krishtlindjes të vitit 1473.