2008-12-23 18:32:04

Atë Federiko Lombardi: "Befasimet e Shpirtit Shenjt"


(23.12.2008 RV)RealAudioMP3 Një ditë pas fjalimit të Benediktit XVI drejtuar Kuries Romake, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe i Radios sonë, Atë Federiko Lombardi, na fton të reflektojmë mbi “Befasimet e Shpirtit Shenjt”:

"Në fjalimin e tij të fundit drejtuar Kuries Romake para Krishtlindjes, Papa vuri theksin mbi veprimin e Shpirtit Shenjt rreth nesh. Theksoi përvojën e Ditëve Botërore të Rinisë dhe karakteristikat e veçanta të këtyre tubimeve, përplot me një gëzim të përmbajtur e të thellë, që të rinjtë e mbartin me vete edhe kur rikthehen në shtëpitë e tyre. Një gëzim që ndryshon nga dalldia kalimtare, e ngacmuar, e ngjarjeve të tjera me pjesëmarrje masive, shenjë e një pranie, që ndihmon për lindjen e viseve të tjera të shpresës e të dashurisë së jetuar.
Por fjalimi i Papës shkon më tutje: befasimi, mrekullimi lind edhe duke parë botën rreth nesh, duke zbuluar se materia është e pajisur me arsye e se prandaj mendja jonë është e aftë t’ia lexojë strukturën, duke filluar kështu aventurën entuziazmuese të shkencës moderne.
E befasimi vijon me njohjen e bukurisë së krijimit të njeriut, si burrë e grua. Britma e befasimit dhe e gëzimit të Adamit, kur Zoti i paraqtiti gruan, kumbon që në faqet e para të Shkrimit Shenjt. Pështjellimi antropologjik, që ia errëson kuptimin këtij takimi, krijon rrezikun t’ia shterrojë burimin e këtij gëzimi.
Së fundi, befasimi më i jashtëzakonshëm: ardhja e Birit të Hyjit në botë si një prej nesh, që të rrijë me ne, të ecë me ne, të na flasë me gjuhën tonë, ta dëgjojmë me veshët tonë, ta shikojmë me sytë tonë, ta prekim me duart tona e të mbetet mes nesh në bashkësinë e gjallë të besimtarëve.Krishtlindja, pra, është koha e zbulimit të befasimeve të mëdha të Zotit për njeriun. Këto lajme të bukura e jo polemikat, synon të kumtojë gjithnjë Kisha".








All the contents on this site are copyrighted ©.