2008-12-23 18:42:42

365 ditë: Satoko Kitahara, një aristokrate japoneze ndërmjet leckashitësve.


(23.12.2008 RV)Shkandull! Aristokracia japoneze është thellësisht e shkandulluar. Satoko, bija e profesorit të pasur Kitahara, rrëmon ndër kazanet e plehrave! Prej disa ditësh Satoko ndihmon shitësit e rrobave të vjetra në Qytetin e milingonave. Sillet e përsillet nëpër rrugët e periferisë duke mbledhur bashkë me ta lecka, kartona e gjithfarë hedhurinash. Pastaj rikthehet në qytet, ku Osava, një sipërmarrës i falimentuar, e ble mallin me peshë.
Satoko e zbuloi Qytetin e milingonave me ndihmën e atit françeskan, Xenonit. Me të shkoi për herë të parë në lagjen e barakave, ndër rrethinat e Tokios. Këtë lagje e krijoi Osava i cili, së bashku me ndihmësen e tij, Matsui, përpiqet me të gjitha mënyrat ta lehtësojë mjerimin e më të varfërve. E tmerruar nga jeta që shikon me sy të vet në këtë qytet, Satoko nis menjëherë t’i ndihmojë fëmijët. Por kjo nuk mjafton. Matsui e akuzon se nuk mund ta njohë jetën e qytetit, sepse jeton në luks.
“Në se ti je me të vërtetë dishepulle e Krishtit, do të ishe e varfër e do të vuaje bashkë me të varfërit...”, i thotë.
Atëherë Satoko nis të rrëmojë nëpër kazanet e plehrave. Matsui mbetet me gojë hapur nga habia e Osavës i mbushen sytë me lot. Asnjeri prej tyre nuk është i krishterë, por feja e kësaj vajze i prek në thellësi të shpirtit. Për fat të keq, Satoko është shëndetligë e jeta në Qytetin e milingonave e ligështon më tej.
Duhet të thithë ajër të pastër, për të mjekuar tuberkulozin, që ka nisur t’ia brejë mushkëritë. Kështu i duhet të largohet nga Qyteza e bubrrecave. Kur kthehet, pas gjashtë muajsh, vendi i saj pranë fëmijëve është zënë nga një zonjë e përgatiur për punën me të miturit. Satoko duhet të dorëzohet. Në se ky është plani i Zotit, ajo do t’i nënshtrohet pa fjalë. Besonte se Zoti e kishte thirrur për të bërë punë të mëdha, ndërsa tani mendon se gjithçka bëri, s’ishte tjetër, veçse gabim. E pra, pa e vënë re fare, Satoko luajti një rol themelor. Me shembullin e saj e me dëshirën për t’ia dhuruar plotësisht vetveten të tjerëve, fitoi shpirtin e dy njerëzve. Osava e Matsui kërkojnë të bëhen të krishterë e marrin Pagëzimin. Kur vrapojnë për t’i dhënë Satokos lajmin e gëzuar, gjejnë mjekët e familjarët të dëshpëruar. Tuberkulozi ka përparuar, fundi është fare pranë....
E Satoko do të vdiste në Qytetin e milingonave, në një dhomë me mure kompensate, ku do të shuhej duke u lutur për Qytetin e për leckashitësit e tij.
Satoko vdiq më 23 janar 1958. Ishte vetëm 29 vjeçe.


 







All the contents on this site are copyrighted ©.