2008-12-22 18:58:22

“Krishtlindja – festa e lindjes se Zotit tonë, Jezu Krishtit”.


Krishtlindja është festa e lindjes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Kremtohet me 25 dhjetor.
Emri i festës vjen nga gjuha latine: “Natale” ose “Natalis Domini”, që do të thotë “Lindja” ose “ Lindja e Zotit”. Prej këndej rrjedhin të gjitha emërtimet që iu dhanë festës në gjuhët neolatine.
Në traditën apostolike nuk kemi të dhëna të sakta për ditën kur lindi Jezusi. Kremtimet e para liturgjike, për të cilat bën fjalë tradita apostolike, janë ato të Pashkëve e të Rrëshajëve. Sipas “ Liber Pontificalis” ( I, fq.129 ) duhet të ketë qenë Papa Telesfori ai që kremtoi per herë te parë Meshën e Mesnatës së Krishtlindjes.
Ndonëse tradita nuk e ka te qartë datën e saktë të Lindjes së Krishtit, në ndryshim nga Pashkët, Krishtlindja kremtohet në të njëjtën datë: më 25 dhjetor. Për herë të parë festa nisi të kremtohej në Romë. Pas Romës, duke filluar nga Armenia e duke vazhduar në Afrikë, Gali, Mesopotami, Kostandinopojë - Krishtlindja u bë një nga festat më të mëdha e më të bukura botërore. Rreth vitit 350 pas Krishtit tashmë kremtohej në të gjithë botën e krishterë.
Nuk është diçka e rastit që ky kremtim përputhet me solsticin dimëror “Natalis Solis Invicti”, që dikur ishte festa më e madhe pagane. Kështu kulti i diellit që e shikojnë sytë tanë, shndërrohej në kultin e një drite më të shkëlqyer, me një kuptim shumë më të thellë shpirtëror: Hyjnia e Krishtit i zbulohet barinjve përmes një drite të mbinatyrshme; një yll i ndritshëm udhëheq Mbretërit Dijetarë, drita pushton zemrat duke i mbushur me gëzim dhe i shtyn barinjtë të nisen udhës së Betlehemit.
Në Shqipëri Kërshëndella zevendësoi të kremten e lashtë pagane të Natës së Buzmit.
Krishtlindja - është festa e gëzimit, e ngrohtësisë, e dritës. Në Ungjill, që është shkruar rreth 70 vjet pas lindjes së Krishtit, tregimi mbi lindjen e Jezusit është i thjeshtë, i treguar me pak fjalë. Por më vonë u krijuan shumë gojëdhëna prekëse për Foshnjen e grazhdit e për Nënën e tij Hyjnore. E shumë më vonë lindi edhe Betlehemi i parë. Idenë për të përsëritur skenën e lindjes së Krishtit e pati Shën Françesku me 1223 në Greçio (Asizi). Piktori i shquar italian Gjoto e përjetësoi këtë ngjarje në një nga afresket e tij, në Bazilikën e Shën Françeskut, në Asizi. Ishte gati si një shfaqje që përsëriste çdo vit ngjarjen e madhe. Shfaqja fillonte me një kor engjëjsh, vazhdonte me këngët e vallet e barinjve. Prej këndej e kanë zanafillen këngët e panumërta popullore të Krishtlindjes në letërsinë botërore e në atë shqiptare, që do të na shoqërojnë udhës së Betelehemit e prej këndej, edhe veprat dramatike kushtuar festës.
Në gjysëm errësirën e Kishës, pranë Shpelles së Betlehemit që ndriçohet vetëm nga qirinjtë e nga dritëzat, të cilat ndizen e shuhen, fëmijët sodisin të mahnitur Foshnjen Hyjnore e këndojnë këngët e së kremtes ose recitojnë vargje kushtuar Birit të Zotit, që lind në një grazhd, mbi kashtë, që vjen të na sjellë gëzimin, paqen!







All the contents on this site are copyrighted ©.