2008-12-22 18:15:50

Sot kisha katolike përkujtoi Shën Françeska Saverio Kabrinin.


(22.12.2008 RV)RealAudioMP3 “Me hirin tënd, fort i dashur Jezus, unë do të vrapoj deri në fund të rrugës, domethënë përgjithmonë, përgjithmonë….”. Fjalë tipike për një shenjte, që u shpall “pajtore e emigrantëve”, jeta e së cilës ishte një shtegtim i vazhdueshëm për t’i bashkuar e për t’ua kthyer dinjitetin italianëve, që ishin shpërndarë në të katër anët e Kontinentit amerikan. Françeska Saverio Kabrini lindi në vitin 1850 në San Anxhelo Lodinjano të Lombardisë, në Itali. Ishte fëmija e 13-të që Zoti i fali familjes së saj fshatare me shpirt të fuqishëm fetar e patriotik. Në vitin 1889 i propozohet vendi i drejtoreshës në një shkollë të Nju Jorkut.
Njëzet vjet më vonë ajo kishte hapur më se 60 institute për bijat e emigrantëve italianë, ndonëse një detyrë e tillë nuk qe aspak e lehtë. Italianët trajtohen si skllevër – shkruante në një letër – duhet të mos kesh fare dashuri për Atdheun, për të mos e ndjerë veten të plagosur nga një sjellje e tillë ndaj bashkatdhetarëve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë nënshtetësinë, Komiteti amerikan i emigracionit i dorëzoi titullin “emigrantja më e ndritur e shekullit”, por ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë, përkundrazi, e vijoi me zell të përtrirë.
Duke rrezikuar të mbytet në det, zbarkoi në Nikaragua, arriti më pas në Nju Orleans, ku mbarë bashkësia italiane shikohej me sy të keq e kishte nevojë të riorganizohej. U kthye sërisht në Nju Jork, ku shndërroi një nga getot për emigrantë në institutin më të rëndësishëm mjekësor të qytetit. Së fundi shkoi në Buenos Ajres, ku arriti pasi kishte kapërcyer Andet mbi shpinë të mushkës e ku themeloi 15 kolegje. Vdiq në Çikago në vitin 1917, pasi kishte kapërcyer oqeanin 24 herë.







All the contents on this site are copyrighted ©.