2008-12-22 18:14:47

Shtigjeve të Krishtlindjes: “Jozefi e mori me vete Marinë, fatin e vet”.


(22.12.2008 RV)RealAudioMP3 Pak orë para Natës së Madhe, për të cilën jemi përgatitur shpirtërisht gjatë gjithë Kohës së Ardhjes, në rubrikën e sotme ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’ ju ftojmë të jetoni disa çaste me Shën Jozefin, zdrukthëtarin, që Zoti e zgjodhi të kujdesej për Birin e vet të Mishëruar. Pas jo pak shqetësimesh e dyshimesh, ai e mori me vete Marinë, fatin e vet:

 
I ulur mbi një gur të madh, Jozefi sodiste duart e tij prej punëtori. Sa shtëpi kishte ndërtuar me këto duar, e ç’shtëpi se? Të patundshme. Mbi to mund të shfrynin shiu e dëbora, e banorët tyre nuk kishin pse të trembeshin. Por që kur Maria i kishte treguar se priste një fëmijë, këto duar kaq të mëdha e të fuqishme kishin nisur të dridheshin. Sigurisht jo prej pleqërie, por prej emocionit e prej trishtimit.
Maria i kishte treguar punën e Engjëllit, fjalët e tij e se i kishte thënë ‘po’ Lajmëtarit hyjnor, Gabrielit e se foshnja që jetonte brenda saj ishte dhuratë e Hyjit. Maria ia kishte shpjeguar këto sende në mënyrë aq të natyrshme, sa Jozefi i kishte besuar.
Tashti Jozefi, që ishte njeri i drejtë, s’dinte nga t’ia mbante. Gjithsesi duhet të gjente menjëherë një rrugëzgjidhje. Ndonjë tjetër, në vendin e tij, nuk do të kishte pasur kurrfarë dyshimi. Sipas ligjit të vendit, gratë që presin një fëmijë, i cili nuk është edhe i burrit të tyre, gjuhen me gurë, derisa vdesin. Por Maria nuk ishte e pabesë e as që mendohej t’i lëshohej në dorë turmës së egërsuar. Atëherë ai zgjodhi rrugëzgjidhjen më pak të dhimbshme për të dy: vendosi ta lëshonte fshehtas, dmth të deklaronte se nuk donte më të martohej me të, jo për faj të saj, por për arsyet e tij personale. Këtë vendim do t’ua tregonte vetëm dy familjeve, të cilave u përkisnin ai e Maria. Sa më shumë mendonte, aq më shumë kjo ide i dukej e keqja më e vogël e ndjente se duart po i dridheshin më pak. Tashmë ishte bërë natë e ai u shtri në shtroje. E ja se iu duk në ëndërr një engjëll i Zotit e i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos kij frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tënd, sepse ç’ është zënë në kraharor të saj, është vepër e Shpirtit Shenjt. Ajo ka për të nxjerrë në dritë një djalë, e ti ke për t’ia ngjitë emrin Jezus: Ai ka për ta çliruar popullin e vet prej mëkateve”.
Si dëgjoi këto fjalë, Jozefi u qetësua plotësisht. Në të vërtetë në Bibël t’i ngjitësh emrin fëmijës, do të thotë të jesh vërtetë atë. Në agim, si u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit dhe e mori me vete fatin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.