(24.12.2008 RV)Të vegjëlit, të varfërit në shpirt: këta janë protagonistët
e Krishtlindjes, si dje ashtu edhe sot; protagonistë të vërtetë të historisë së Zotit,
ndërtimtarë të palodhshëm të Mbretërisë së Tij të drejtësisë, të dashurisë e të paqes. Të
përvujturit, si Maria, që besoi në fjalën e Zotit dhe adhuroi e para, e përkulur mbi
grazhd, Frytin e kraharorit të saj; si Jozefi, njeriu i drejtë, që pati guximin e
fesë e i duk më e arsyeshme t’i bindej Hyjit, sesa të ruante namin e vet të mirë;
si barinjtë, të varfërit, njerëzit e panjohur, që pranuan kumtin e lajmëtarit
qiellor dhe u nisën për ngut drejt Shpellës ku gjetën Foshnjën e sapolindur dhe, të
mrekulluar, e adhuruan, duke lavdëruar Hyjin. Me Marinë, Jozefin e barinjtë, me
mbretërit dijetarë e aradhet e pafundme të adhuronjësve të përvujtë të Foshnjës së
sapolindur, të cilët gjatë shekujsh e pranuan mesazhin e Krishtlindjes, edhe ne, vëllezër
e motra të trojeve shqiptare, ta lëmë dritën e kësaj dite të përhapet kudo. Vetëm
drita e madhe që u duk në Krishtin mund t’u dhurojë njerëzve paqen e vërtetë. Ja pra
pse - çdo brezni është e thirrur ta pranojë Zotin, i cili në Betlehem u bë njëri nga
ne. Por, kush është gati t’ia hapë portën e zemrës? Kush rri zgjuar në natën e dyshimit
e të pasigurisë? Kush e pret agimin e ditës së re duke e mbajtur të ndezur flakën
e fesë? Të gjithëve Krishti vjen t’u dhurojë vetveten si shpresë e sigurtë për shëlbim.
E të gjithë, si Maria e Jozefi, si barinjtë e Mbretërit dijetarë, mund të bëhen protagonistë
të Krishtlindjes!