2008-12-22 18:17:29

Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot reflektoi mbi misterin e mishërimit dhe i ftoi të gjithë ta shijojnë gëzimin e ardhjes së Jezusit.


(22.12.2008 RV)RealAudioMP3 Ligjet e natyrës duhet të jenë nxitje për të kundruar veprat e Zotit: Benedikti XVI, në lutjen e Engjëllit të Tënzot foli edhe për rolin që luan astronomia në matjen e kohëve të lutjes dhe –pak ditë para Krishtlindjes - i ftoi të gjithë besmitarët të përgatiten për ta pritur me gëzim Shëlbuesin.

Një leksion jo i zakonshëm astronomie i Papës! Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI e nisi reflektimin e tij nga tema e Lajmërimit të Zojës së Bekuar – sipas Ungjillit të së dielës së IV të Kohës së Ardhjes – mister tek i cili rikthehemi çdo ditë, duke thënë lutjen e Engjëllit të Tënzot, uratën që na bën ta rijetojmë çastin vendimtar, në të cilin Hyji trokiti në zemrën e Marisë e, si mori ‘po’-në e Virgjërës, nisi të mishërohej në të e prej saj. Pak ditë para Krishtlindjes, Papa i ftoi të gjithë besimtarët të reflektojnë për misterin e patregueshëm, që Maria e mbajti nëntë muaj në kraharorin e saj virgjëror:

“Misteri i Hyjit, që bëhet njeri! Është kjo baza e parë e shpërblimit. E dyta është vdekja edhe ngjallja e Jezusit, e këto dy baza të pandarshme, janë shprehje e të vetmit plan të Hyjit: të shpëtojë njerëzimin e historinë e tij , duke marrë plotësisht mbi vete, deri në fund të fundit, të keqen që e shtyp”.

 
Mister i shëlbimit i cili, përveç përmasës historike, ka edhe përmasën e vet kozmike: Krishti – nënvizoi Ati i Shenjtë - është dielli i hirit që, me dritën e tij, e shndërron dhe e ndrit universin në pritje. E vetë festa e Krishtlindjes – shpjegoi Benedikti XVI- – lidhet me solsticin apo fillimin e dimrit, me të cilin nis zgjatja e ditëve në hemisferën veriore, duke filluar nga 12 deri më 21 dhjetor.
Benedikti XVI kujtoi edhe se Sheshi i Shën Pjetrit është një sahat diellor, pikërisht atje ku obelisku lëshon hijen e vet – më e gjata e vitit në këto kohë – në një vijë që vërehet mbi kalldrëm, drejt shatërvanit nën dritaren e Papës. Kjo, për të theksuar rolin e astronomisë në matjen e kohëve të lutjes, ashtu si lutja e Engjëllit të Tënzot, që kumbon në agim, në mesditë e në muzg të ditës; prandaj në lashtësi mesdita e vërtetë përcaktohej me orën diellore e sipas saj rregulloheshin sahatët.
Papa shfrytëzoi kështu rastin për të kujtuar se viti 2009 është shpallur Vit botëror i astronomisë, me rastin e katërqind vjetorit të vrojtimeve të para me teleskop të Galileo Galileit. Të shumtë – kujtoi më pas Ati i Shenjtë - qenë edhe papët që u morën me këtë shkencë, si Silvestri II, që i dha edhe mësimin e astronomisë; Gregori XII, nga i cili kemi kalendarin e sotëm e Shën Piu X, që dinte të ndërtonte sahate diellore.

"Në se qiejtë, sipas fjalëve të bukura të Psalmistit, “rrëfejnë lavdinë e Hyjit”, edhe ligjet e natyrës, të cilat në rrjedhë shekujsh shumë burra e gra të shkencës i bënë të kuptohen gjithnjë më mirë, janë një nxitje e madhe për të kundruar me mirënjohje veprat e Zotit”.

 
Duke u rikthyer tek tema e Krishtlindjes - përfundoi Papa – të mësojmë nga Jozefi e Maria të fshehtën e lutjes, për ta shijuar kështu, me fund, gëzimin e pritjes së Jezusit:

“Të përgatitemi për ta pritur me fe Shëlbuesin, që vjen të rrijë me ne, Fjalë e dashurisë së Hyjit për njerëzimin e të gjitha kohëve”.

 Pas lutjes, ndërmjet përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve nga mbarë bota, Papa kujtoi posaçërisht 50 meshtarët e rinj Legjionarë të Krishtit, shuguruar një ditë më parë nga kardinali Anxhelo Sodano në bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve si dhe shoqatën palermitane “Trëndafili i verdhë’, që ka realizuar një vepër teatrale, të frymëzuar nge jeta e Don Pino Puljisit, vrarë nga mafia 15 vjet më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.