2008-12-22 18:10:55

Benedikti XVI Kuries: DBR-ja dhe Sinodi, shenja të Shpirtit Shenjt në 2008-tën. Zoti krijoi burrin e gruan, Kisha duhet ta mbrojë këtë të vërtetë.


(22.12.2008 RV)RealAudioMP3 Shpirti Shenjt, që Krishti i dhuroi Kishës së tij, solli në vitin e fundit Rrëshajë të dukshme, posaçërisht përmes DBR-së së Sidneit dhe Sinodit të ipeshkvijve kushtuar Fjalës së Hyjit. Në fjalimin tradicional drejtuar sot Kuries Romake, gjatë audiencës për urimet e Krishtlindjes, Benedikti XVI analizoi thellësisht këto, e ngjarje të tjera, që karakterizuan misionin e tij e të Kishës në vitin 2008. Papa u ndalua edhe tek nevoja e një ekologjie të njeriut, që duhet të respektojë natyrën e qenies njerëzore, ashtu si e krijoi Zoti – burrë e grua – në krahasim me përbuzjen e ndokujt, që do të dëshironte të impononte idenë e një gjinie të shkëputur nga e vërteta e Krijimit.

Kur Krishti e themeloi Kishën, i besoi përgjegjësinë t’i kumtonte botës Ungjillin e, me të, Shpirtin që ndriçon fjalët e Hyjit dhe gëzimin që buron në zemrën e njeriut, i cili e jeton Lajmin e mirë. Kjo përgjegjësi nuk ka ndryshuar gjatë dymijë vjetëve e Benedikti XVI e theksoi si detyrë të dorës së parë, në fund të fjalimit, gjatë të cilit reflektoi për ngjarjet më të rëndësishme kishtare të vitit 2008. U ndalua posaçërisht tek dhuratat e harmonisë e të gëzimit që i solli Shpirti Shenjt Kishës gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar: tek përkujtimi i 40-vjetorit të botimit të enciklikës ‘Humane Vitæ’; i 30- vjetorit të vdekjes së autorit të saj, Palit VI; fillimi i kremtimeve të Vitit kushtuar Shën Palit dhe shtegtimet e tij apostolike në SHBA e në Francë. Por vëmendja e Papës u përqendrua kryesisht tek Dita Botërore e Rinisë në Sidnei, kremtuar në korrikun e kaluar dhe tek Sinodi i ipeshkvijve, në tetorin e kaluar.
Fenomeni i DBR – vërejti Papa - është objekt analizash të përsëritura, për të kuptuar të ashtuquajturën ‘kulturë rinore’:

"Analizat e kohës kanë prirjen t’i konsiderojnë këto ditë si një variant modern i kulturës rinore, një lloj festivali rok, i përshtatur për natyrën e Kishës, me Papën si star. Me a pa fe, thuhet, ky festival, në fund të fundit, do të ishte e njëjta gjë, e kështu bëhen përpjekje për t’i hequr Zotin. Ka edhe zëra katolike që shkojnë në këtë drejtim, duke e shikuar ngjarjen thjeshtë si një shfaqje të madhe, të bukur natyrisht, por që pak rëndësi ka për fenë e për praninë e Ungjillit në kohët tona. Ditët rinore konsiderohen si çaste të një ekstaze festive, por që në fund të fundit i lënë të gjithë ashtu siç ishin më parë, pa ndikuar fuqimisht mbi jetën e tyre”.

 
Por Papa shpjegoi se kësaj analize i mungon themelorja: 200 mijë të rinjtë, mbledhur në Sidnei, provuan një gëzim krejt të ndryshëm, nga ai që provohet në çdo koncert rok. Pastaj kjo ishte një festë e nisur nga larg, një shtegtimin feje, që pati një shtrumbullar të vetëm: Kryqin!

“Në Australi jo rastësisht Udha e gjatë e Kryqit, që përshkoi mbarë qytetin, u bë ngjarje kulmore e këtyre ditëve. Përmblidhte të tëra ngjarjet e mëparshme e tregonte Atë, që na mbledh bashkë të gjithëve: Zotin, i cili na do mbi kryq. Kështu edhe Papa, nuk është ‘yll’ rreth të cilit lëviz gjithçka. Ai është plotësisht e vetëm Zëvendës. I dërguar nga Tjetri, që është mes nesh!”.

 
Ylli i DBR-së është vetëm Krishti e Shpirti i tij është forca që bashkon rininë e mbarë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.