2008-12-22 18:16:04

365 ditë: "Solanus Kasei, portieri i Parajsës".


(22.12.2008 RV)RealAudioMP3 Vëllau Fransis ngrihet menjëherë nga vendi. « Ah! ja, arriti Atë Solanus! Mirë se të pruni Zoti në kuvendin e Shën Bonaventurës! »
Portieri i tregon me dorë hyrjen e manastirit ndihmësit të tij të ardhshëm.
«Ky është vendi ku presim vizitorët. Unë qep zhgunat për të gjithë sivëllezërit e provincës e merrem edhe me pritjen e mysafirëve. Vizitorët nuk janë të shumtë por, tani që erdhët ju, unë mund të merrem vetëm me zhgunat».
Vëllau Fransis e shikon Atin Solanos me vëmendje, por duke u kujdesur të mos bjerë në sy. Ka dëgjuar prej kohe të flitet për këtë kapuçin, që është meshtar ‘simplex’, sepse ka të drejtë të kremtojë Meshën, por jo të rrëfejë, e as të predikojë. Sipas eprorëve të tij, i mungon zgjuarësia e nevojshme për t’i kryer këto detyra.
Ky i Shën Bonaventurës është i treti kuvend që e strehon kapuçinin. Disa thonë se të jesh portier nuk është ndonjë detyrë me rëndësi, por Atë Solanus është shumë i kënaqur, madje i kryen detyrat e veta me entuziazëm. Në të vërtetë kapuçini nuk është portier si gjithë të tjerët. Në kohën kur priste vizitorë në kuvendin e tij të Nju Jorkut, qe bërë njeri tepër i njohur e njerëzia vinin nga larg për t’i kërkuar këshilla shpirtërore. Pati një sukses aq të madh, sa eprorët e larguan, që të mos i rritej mendja e në manastir të rikthehej qetësia.
Në kuvendin e Shën Bonaventurës, Atë Solanus përgjigjet në telefon e pret vizitorë, ndërsa vëlla Frensis qep zhguna. Por ja që, pas pak kohe, fama e Atë Solanus merr dhenë. Njerëzit zënë radhën para portinerisë. Këtë herë eprorët detyrohen ta pranojnë se murgut nuk i rritet aspak mendja e vijon të marrë pjesë rregullisht në jetën murgare, me të njëjtën sjellje të përvujtë, si gjithmonë. Nuk përfiton nga suksesi, për të kërkuar të drejtën të rrëfejë, as të predikojë por, për të bërë dëgjesën, pranon vendimin e eprorëve të mëparshëm.
E s’është aspak nevoja që Atë Solanus të rrëfejë për orë e orë a të predikojë, sepse i mjafton portineria, për të afruar me qindra zemra tek Krishti. Njerëzit që u takuan me të deri në ditën e vdekjes, më 31 korrik 1957, janë kaq shumë, sa pa dyshim misioni i tij mbi tokë duhet të ishte ai i portierit... natyrisht jo i një portieri të zakonshëm... por i portierit të Parajsës.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.