2008-12-20 18:12:26

Shën Mikea Profet.


(21.12.2008 RV)RealAudioMP3 Profeti shenjt Mikea, në kohën e Jonatamit, Akazit e Ezekielit, mbretër të Judës, me predikimin e tij mbrojti të shtypurit, dënoi idhujt e padrejtësitë shoqërore e kumtoi se nga populli i zgjedhur do të lindte në Betlehem të Judës sundimtari i premtuar që nga kohët e lashta, që do ta sundojë Izraelin me forcën e Zotit.
Në kulmin e nëntëditshes së Krishtlindjes, më 21 dhjetor, Martiriologu Romak vendos kujtimin e Shën Mikesë profet, që radhitet ndërmjet profetëve të vegjël të Besëlidhjes së Vjetër, sepse shkrimet e tij janë të shkurtra, por jo më pak të rëndësishme se ato të profetëve të mëdhenj, si Izaia, që ishte mësuesi i tij. Nuk është, prandaj më pak i rëndësishëm para syve të Zotit.
E kjo, sepse, së pari, i bëri njeriut një thirrje që përshkon shekujt:

Me çka do t’i dal përpara Zotit? - pyet profeti e vijon:
Me çka do të përmbysem para Hyjit, të lartit Perëndi?
Do të paraqitem para tij me kurbane,
me mëzorë një vjete?
Thua do t’i pranojë Zoti mijërat e deshëve
e krojet e vajit me mijëra e mijëra?
O njeri - vijon thirrja - të është thënë ç’ është e mirë
e çka lypë Zoti prej tejet:
të shtiesh në punë drejtësinë,
në zemër të kesh mëshirën,
të ecësh përvujtërisht me Zotin tënd”. (6, 6-8)

Po krishterimi vë theksin mbi një fragment tjetër të shkrimeve të Mikesë, që paraflet ardhjen e Mesisë:

“E ti Betlehem i Èfrata,
më i vogli ndër fise të Judës,
prej tejet do të dalë ai,
të cilit do t’i përkasë sundimi i Izraelit ...
Për ketë arsye Hyu ka për ta lënë nën thundër të huaj
derisá ajo që do të lindë,
ka për të qitë në dritë një fëmijë;
Ai ka për të marrë mbi vete sundimin me pushtetin e Zotit
e me madhërinë e emrit të Jahvehit, Hyjit të vet;
E kanë për të jetuar në paqe
pse ai tashmë ka për të qenë i madh
deri në kufijtë më të largtit e botëse ai vetë ka për të qenë paqja”. (5,1-3)

 
Ky kumtim mesianik rikumboi shtatë shekuj më pas, i ndriçuar nga një ngjarje e re, tepër e madhe, që ndodhi në kohën e mbretit të mbrapshtë, Herodit. (Mt 2,6). Që asokohe fjalët e Mikesë profet vijuan të kumbojnë për gjithë të drejtët, si lajm shprese e gëzimi, duke kumtuar Lindjen në Betlehem të sundimtarit, premtuar që në kohët e moçme, që do ta sundonte Izraelin me pushtetin e me madhështinë e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.