2008-12-20 18:06:56

Në prag të Krishtlindjes: kuptimi liturgjik i Solemnitetit


(21.12.2008 RV) RealAudioMP3 Kremtimet liturgjike të kohës së Krishtlindjes, duke filluar nga Mesha e Mesnatës, u prijnë besimtarëve në kundrimin e misterit të Mishërimit, mister i shëlbimit tonë. Në këtë kohë Kisha kundron Atë, që është i vetmi shpërblyes i botës.
Përballë misterit të Mishërimit gjithçka duhet të ndihmojë për të ngjallur mahnitje e mrekullim. Sepse nuk mund të mos na mrekullojë nata, në të cilën Biri i Zotit bëhet foshnjë për ne e për shëlbimin tonë. E, duke lindur në një grazhd të varfër, mbi kashtë, na tregon fytyrën e vërtetë të Hyjit, si pasojë, të vërtetën mbi jetën e mbi fatin e njeriut. Në të shikojmë bukurinë e misterit të Hyjit e të dashurisë së tij plot mëshirë. Është Ai Hyji me ne!
Nuk kujtojmë një ngjarje që ndodhi në të kaluarën e largët, por një fakt që vijion edhe sot të jetë i prekshëm e pranishëm në kremtimin liturgjik. E fjala-kyç për ta kuptuar këtë është “sot”, që përsëritet shumë herë gjatë kremtimeve të kohës së Krishtlindjes.
Prandaj Krishtlindja është festa e gëzimit: për Krishtlindje njeriu zbulon planin e amshuar të Hyjit, që ndriçon jetën e tij personale e kolektive si dhe kuptimin e vetë historisë, duke dëftuar Dashurinë që mbush plot zemrat e të gjithë njerëzve e të mbarë popujve.
Kremtimi i Dëftimit të Zotit vë në dukje pikërisht këtë karakter universal të misterit të Mishërimit, përmes figurave të Mbretërve Dijetarë.
Kremtimet liturgjike u japin të gjithë njerëzve Lajmin e mirë përmes fjalëve, sjelljeve, heshtjes, muzikës, këngës, ritit në tërësinë e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.