2008-12-20 18:10:13

Një javë me Benediktin XVI në prag të Krishtlindjes


(21.12.2008 RV)Në këtë kohë, kaq afër Krishtlindjes, besimtarët janë të thirrur të jenë solidarë me njerëzit e prekur nga kriza e punës: është nxitja e Benediktit XVI në fjalimin drejtuar anëtarëve të ULSA-s, Zyrës së Punës të Selisë Apostolike, të cilët i priti të premten e kaluar në Vatikan, me rastin e 20-vjetorit të themelimit.
Kriza, që ka prekur tregun e punës, duke tronditur thellë mbarë njerëzimin, ishte në qendër të mendimit të Papës, që u bëri thirrje të gjithë besimtarëve:
 
“Kush ka mundësi të punojë, duhet t’i jetë mirënjohës Zotit e t’ia hapë bujarisht zemrën atij, që nuk e ka këtë mundësi e prandaj kalon çaste të vështira ekonomike. Krishti Fëmijë, që në Natën e Shenjtë të Betlehemit u bë njeri për të qenë pranë nesh në çaste e vështira të jetës, i ndihmoftë ata që janë prekur rëndë nga kriza botërore e ngjalltë në shpirtin e të gjithëve ndjenja të vërteta solidariteti”.

Krishtlindja është festa universale e gëzimit: kriza e sotme ekonomike mund të ndihmojë për ta pastruar nga koret konsumistike e materialistike, të cilat shpesh e maskojnë, e për ta rizbuluar në gjithë vërtetësinë e saj: si dhuratë shprese që i bën Zoti botës. Krishtlindja i flet zemrës. Edhe zemrës së njerëzve që nuk besojnë, por që nuk mund të mos ndjejnë, në këtë periudhë ‘diçka të jashtëzakoshme e të mbinatyrshme’, sepse ardhja e një fëmije, që na pushton ndër krahë, nuk mund të mos jetë ngjarje tejet gazmore. Fjalët me të cilat Benedikti XVI hapi katekizmin, ishin një himn për dashurinë që u ngjall të gjithëve Krishti Fëmijë në Shpellën e Betlehemit. E, me që Krishtlindja është festë e lindjes së një Fëmije, bëhet edhe festë që këndon dhuratën e jetës.Është kjo përmbledhja e katekizmit mbajtur nga Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, e fundmja e Vitit 2008.

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa pati një takim të shkurtër me pjesëmarrësit në bisedimin katoliko-islamik, që u mbajt në Romë, me temë: “Përgjegjësia e prijësve fetarë, posaçërisht në kohë krize”. Në takim morën pjesë dymbëdhjetë personalitete dhe specialistë katolikë e po aq myslimanë, ardhur nga vende të ndryshme. Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij për takimin dhe i inkurajoi pjesëmarrësit të vijojnë bisedimet e nisura.

 
Paqja botërore ka nevojë të mbështetet mbi bazën e drejtësisë e të etikës së re të dialogut, posaçërisht në çastin aktual të paqëndrueshmërisë, shkaktuar nga kriza ekonomike globale. Ky është vizioni që Benedikti XVI u ofroi njëmbëdhjetë ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti të enjten e kaluar në audiencë si përfaqësues të shteteve të Malavit, Suedisë, Sierra Leones, Islandës, Luksemburgut, Madagaskarit, Belizes, Tunizisë, Kazakistanit, Bahrejnit e Ishujve Fixhi.
Një audiencë me botën përballë problematikave të saj: nga kriza financiare, tek eutanasza e aborti e tek impenjimi për dialog me vendet islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.