2008-12-20 18:19:44

365 ditë: "Zhak e Loransë dë Burbo Bysè, model për të gjithë bashkëshortët"


(20.12.2008 RV)Zhak e Loransë dë Burbo Bysè + e deshën njëri-tjetrin me gjithë zemër. U takuan në Paris gjatë Luftës II Botërore e shumë shpejt vendosën të martohen e të kenë shumë fëmijë. Por historia e tyre nuk është e zakonshme. Zhak dë Burbo Byse e gruaja tij u bënë të njohur në mbarë botën. Këta dy njerëz, që duheshin kaq shumë, e kuptuan se Zoti ishte i pranishëm në dashurinë e tyre e i ruante gjithnjë. Në vitin 1956 Zhaku e la postin e tij dhe karrierën premtuese në ministrinë e jashtme, për t’iu kushtuar plotësisht dashurisë për Loransen, me bindjen se kështu do të jepte dëshminë e dashurisë së Zotit për njerëzit. Nga librat, që e bënë të famshëm, kuptohet se martesa e Zhakut e Loransës është histori e dy njerëzve që u deshën çdo ditë e më shumë, për gjithë jetën, pa asnjë lëkundje, sepse Zoti ishte burimi, modeli e qëllimi i dashurisë së tyre. Zhak e Loransë vendosën të jetonin njëri për tjetrin, t’ia dhuronin plotësisht veten njëri-tjetrit, ta vinin gjithnjë tjetrin në vendin e parë, të viheshin në shërbim të tjetrit, ashtu si porosit Jezusi. E jashtëzakonshme? Jo, aspak, të gjithë bashkëshortët duhet të jetojnë kështu.
Zhak e Loransë janë shembull i një çifti, që e përballoi me guxim të madh, e me sukses të madh, aventurën e martesës. Jetuan – siç shkroi Zhaku – “një dashuri pa kthim!” Pastaj më 1986 Loransë vdiq. Pikërisht në këtë kohë Zhaku shkroi librin “Letër Loransës”, përmes të cilit i drejtohet shoqes së jetës, ndonëse letra shkruhej për t’u botuar.
Në se ky libër u bë kaq i famshëm, kjo ndodhi sepse Zhaku flet me thjeshtësinë më të madhe për dashurinë, si ndjenjë e thellë shpirtërore që, kur është e vërtetë, i bën ballë edhe vdekjes. E nuk është aspak e lehtë t’u flasësh të tjerëve për dashurinë. Madje nganjëherë është vështirë t’i flasësh edhe njeriut që do. Në këtë letër drejtuar gruas së vdekur para pak kohe, Zhaku i flet zemrës së saj e zemrës së njeriut. E gjithë Letra është një këngë falënderimi për Loransën. Aq sa, pasi ta kesh lexuar, nuk mund të mos jesh një mendjeje me atë që i shkroi një nga miqtë autorit: “Ajo që do të mbetet nga ti, do të jetë porteti i saj”.Dëshmi mahnitëse e një martese vërtetë të krishterë, në të cilën prova më e bukur e dashurisë është të japësh jetën për tjetrin.

+ Zhak dë Burbo Byse është emri i penës i shkrimtarit dhe diplomatit francez, anëtar i Akademisë franceze, Jacques de Bourbon, « comte de Busset ». Lindi më 27 prill 1912 në Paris e vdiq më 7 maj 2001, gjithnjë në Paris. Vepra për të cilën folëm titullohet ‘Lettre à Laurence’.







All the contents on this site are copyrighted ©.