2008-12-19 18:04:24

“Jemi nënat e Krishtit, kur e kemi Zotin në zemër”: kështu u shpreh sot Atë Kantalamesa në predikimin e tretë të Kohës së Ardhjes.


(19.12.2008 RV)RealAudioMP3 Atë Raniero Kantalamesa mbajti sot në kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit” në Vatikan, predikimitn e tretë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës e të familjes papnore. Predikatari u ndalua veçanërisht tek dogma e mishërimit, duke ndjekur sidomos mendimin e Shën Palit.Më pas foli për Zojën e Bekuar e ftoi për t’i ngjarë në fe e në vepra, me bindjen se:

“Jezusin e zë në zemër, por s’arrin dot ta lindë, ai që e pranon Fjalën e Zotit, por nuk e vë në jetë, ai që vijon të ketë dështime shpirtërore njëri pas tjetrit, që premton një pendesë, të cilën sakaq e harron ose e lë në gjysëm të rrugës”.

 
Amësia e vërtetë lidhur me Jezusin – tha predikatari – shprehet mrekullisht bukur nga Shën Françesku:

“Jemi nënat e Krishtit, kur e kemi në zemër e në trupin tonë, përmes dashurisë hyjnore e ndërgjegjes së çiltër e të pastërt; e lindim përmes veprave shenjte, që duhet të bëhen shembull për të gjithë”.

 
Shpirti që zë Jezusin – shpjegoi Atë Kantalamesa duke cituar fjalët e Shën Bonaventurës, duhet të bëjë diçka konkrete, duket të ndryshojë, mundësisht, edhe në mënyrë të dukshme, jetën e zakonet:

“Në se vendos të ndryshosh stilin e jetës e të hysh në radhët e të varfërve e të të përvujtëve që, si Maria, kërkojnë vetëm hirin e Hyjit, pa pyetur fare për atë që u pëlqen njerëzve, atëherë, shkruan Shën Bonaventura, duhet të armatosesh me guxim, sepse do të kesh shumë nevojë për të”.







All the contents on this site are copyrighted ©.