2008-12-19 18:28:18

Shtigjeve të Krishtlindjes: “Këngë Kërshëndellash në prozë”


(19.12.2008 RV)RealAudioMP3 Për rubrikën e sotme ‘Shtigjeve të Krishtlindjes’ zgjodhëm një fragment nga “Këngë Kërshndellash në prozë”, shkruar më se njëqind vjet më parë nga shkrimtari i famshëm anglez, Çarl Dikens, duke e ballafaquar me kohët tona:

Dy zotërinj hyjnë në studion e fajdexhiut Skrogji, me penë e letër në dorë, e i thonë: “Është Nata e Krishlindjes, mijëra njerëz nuk kanë as bukën e gojës, zotëri!”.
Përgjigjet Skrogji: “Ka burgje! E strehë vorfnore! Le të shkojnë atje e të festojnë. Për ta janë bërë. Apo s’ka më burgje, as strehë?!”.
“Ka, ka, por pak mund të bëjnë për t’i gëzuar shpirtrat e njerëzve në këtë Natë të madhe. Menduam të mbledhim ca fonde e t’u dhurojmë të varfërve ushqime, pije e dru për t’u ngrohur në këtë natë të akullt dimërore. Ç’mund të na dhuroni për ta?”.
“Unë nuk dhuroj asgjë. E tani, ju lutem, shkoni në punë tuaj e më lini të qetë. Nuk e festoj Krishtlindjen e s’ kam ndër mend t’u jap para përtacëve për ta festuar. Duke paguar taksën për të varfërit, më duket se e jap ndihmesën time për burgjet e strehët e lypësve. Kush është në mjerim, të shkojë e të trokasë në ato porta e jo në timen”.
“Shumë nuk mund të shkojnë e edhe më shumë urojnë të vdesin, më parë se të trokasin në ato porta”.
“Në se u pëlqen të vdesin, bëjnë shumë mirë, madje duhet t’i ndihmojmë ta bëjnë këtë sa më shpejt, për të pakësuar kështu mbipopullimin e tokës. E pastaj, më falni, po këto gjëra nuk më interesojnë fare”.
Njeriu që flet kështu shqetësohet vetëm për tregti, për para, jeton vetëm për të fituar, me çdo kusht. Jeton për të marrë e kurrë për të dhënë...
Por një ditë prej ditësh i duket shpirti i mikut të ngushtë, fajdexhi si ai vetë, e i ankohet me dhimbje të thellë: “Tregti, para, fitime! Një zemër njerëzore, ky duhet të ishte fitimi im. Mirëqenia e të gjithëve duhet të ishte puna ime; bamirësia, mëshira, mirësia, këto duhet të ishin paratë e mia. Pse eca në mes të turmës së njerëzve, që më ngjasin, me sytë përdhe, pa i lartuar kurrë nga ylli i bekuar, që u priu tre mbretërve drejt Shpellës? E mua mund të më printe me dritën e vet drejt shtëpive të tjera të varfëra, që presin t’u shtrihet një dorë?”.

 
Që kur u shkruan këto fjalë kanë kaluar më se njëqind vjet. Njerëzimi vozit në një barkë, ngarkuar me popuj, po deti është tepër i trazuar. Në se nuk duam të fundosemi, rregulli është ky: “Një për të gjithë e të gjithë për një”. E mbetet ende aktuale porosia e shpirtit të fajdexhiut të vdekur: “Çdo shtëpi e varfër, është mbarë bota, që ka nevojë për Zotin!”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.