2008-12-19 18:04:36

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë në OKB lidhur me depenalizmin e homoseksualitetit.


(19.12.2008 RV)RealAudioMP3 Gjashtëdhjetë vende bënë thirrje dje në OKB, në Nju Jork, për depenalizmin universal të homoseksualitetit. Deklarata lidhur me këtë kërkesë, u lexua në Asamblenë e Përgjithshme nga ambasadori i Argjentinës, në emër të Vendeve që e mbështesin, duke përfshirë edhe 27 vendet e Bashkimit Evropian, të cilat u bënë nismëtare, përmes ministrit francez për të drejtat e njeriut. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëjnë pjesë 192 kombe: rreth gjashtëdhjetë prej tyre, të kryesuara nga Egjipti, paraqitën një kundërdeklaratë. Selia e Shenjtë sqaroi qëndrimin e vet, përmes fjalimit të kryeipeshkvit Çelestino Miliore, vëzhgues i saj i përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara.Së pari kryeipeshkvi Miliore nënvizoi se Selia e Shenjtë i vlerëson përpjekjet e bëra përmes Deklaratës për të dënuar çdo formë dhune kundër homoseksualëve, si dhe për t’i nxitur shtetet të marrin masat e nevojshme që t’i jepet fund të gjitha dënimeve kriminale kundër tyre. Por – shpjegoi - Selia e Shenjtë vëren se formulimi i këtij dokumenti shkon më përtej qëllimit për të cilin u hartua e do të krijonte shumë paqartësi juridike, në se do të vihej në jetë. Teksti, ndonëse dënon me të drejtë të gjitha format e dhunës kundër homoseksualëve dhe pohon se është detyrë të mbrohen, krijon paqartësi për ligjet dhe vë në diskutim normat ekzistuese mbi të drejtat e njeriut. Selia e Shenjtë – theksoi kryeipeshkvi Miliore – vijon të jetë e mendimit se duhet shmangur çdo diskriminim i padrejtë kundër homoseksualëve, duke i nxitur shtetet t’u japin fund dënimeve kriminale kundër tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.