2008-12-19 18:28:42

365 ditë: "Kardinali Vishinski, Hero i krishterimit polak"


(19.12.2008 RV)Sot roja e burgut grindet më shumë se zakonisht. I burgosuri, kardinali Vishinski, dëfrehet duke e parë kështu. E di mirë se njeriu, që e kanë ngarkuar ta ruajë, nuk ka fare dëshirë të flasë, e as të qeshë. Jemi në gushtin e vitit 1956 e në Çestokova, qytet polak ku nderohet Zoja e Bekuar, të krishterët kanë organizuar një takim të madh. Qeveria komuniste shpresonte se ky takim do të ishte një dështim i plotë, ndërsa te Shenjtërorja u mblodh një turmë vigane. Për komunistët kjo është një disfatë tepër e hidhur. Që kur morën pushtetin, më 1945, bëjnë gjithçka u vjen për doresh për ta zhdukur fenë katolike në Poloni. Ndër zemra duhet të mbretërojë vetëm doktrina e partisë.
Por qeveritarët e Polonisë e dinë mirë se lufta është e gjatë dhe e vështirë. Polakët janë të krishterë prej shekujsh e nuk është aspak e lehtë t’i ndash nga Krishti. E kush ndjek pas Krishtin, është gati edhe të martrizohet për Të. Prandaj qeveria më kot merr masa të rrepta. Sa më i madh bëhet persekutimi, aq më e zjarrtë feja.
Më 1953 kardinali Vishinski flaket në burg. Ai është ipeshkvi i Varshavës, kryeqytetit: është, pra, kryetari i Kishës polake. “Të arrestosh kardinalin Vishinski, do të thotë t’i presësh kokën Kishës”, mendojnë komunistët.
Por nuk e kishin llogaritur fare kokëfortësinë e polakëve. E ja që në gusht të vitit 1959 mbushen tri vjet që kur Kardinali kalbet në burg e populli nuk gjen rrugëzgjidhe tjetër, veçse të shkojë në Çestokova e të lutet, që Polonia të mbetet e krishterë përgjithmonë e jetës. Kardinali Vishinski brohoritet si hero kombëtar. Komunistët, që gabuan rëndë duke i vënë prangat kreut të kishës, tërbohen nga kjo disfatë e rëndë.
Gjithsesi, loja nuk ka përfunduar akoma: e kardinali i burgosur e kupton këtë fare mirë. Edhe pse lirohet më 1956, beteja ndërmjet Kishës e qeverisë vijon. Por situata keqësohet më tej për komunistët. E kjo, sepse pas shpatullave të Vishinskit janë të gjithë polakët, që e kanë tejet për zemër Kardinalin e tyre, me vetëdijen se i prin një personalitet i jashtëzakonshme fetar. Edhe ipeshkvjtë e mbështesin: ndërmjet tyre është Karol Vojtila, ipeshkvi i Krakovisë, i cili në vitin 1978 bëhet papë me emrin Gjon Pali II. Kjo zgjedhje është një disfatë tjetër, edhe më e dhimbshme për komunistët.
Kardinali Vishinski vdes më 1981. Dhjetë vjet më pas, falë rezistencës së Kishës, e të polakëve, komunistët flaken përfundimisht nga qeveria. Lind një kohë e re, e paralajmëruar nga Kardinali i madh, Vishinski!







All the contents on this site are copyrighted ©.