2008-12-18 16:48:29

Duke u takuar me 11 ambasadorë të rinj pranë Selisë së Shenjtë, Papa theksoi se pa drejtësi nuk mund të ndërtohet paqja


(18.12.2008 RV) Paqja botërore ka nevojë të mbështetet mbi bazën e drejtësisë e të etikës së re të dialogut, posaçërisht në çastin aktual të paqëndrueshmërisë, shkaktuar nga kriza ekonomike globale. Ky është vizioni që Benedikti XVI u ofroi njëmbëdhjetë ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë, të cilët i priti sot paradite në audiencë si përfaqësues të shteteve të Malavit, Suedisë, Sierra Leones, Islandës, Luksemburgut, Madagaskarit, Belizes, Tunizisë, Kazakistanit, Bahrejnit e Ishujve Fixhi.
Një audiencë me botën përballë problematikave të saj: nga kriza financiare, tek eutanazia e aborti e tek impenjimi për dialog me vendet islamike. Njëmbëdhjetë ambasadorë, ardhur nga të pesë kontinentet, që i japin një fytyrë të re Trupit diplomatik, akredituar në Vatikan, me të cilët Benedikti XVI reflektoi posaçërisht për sfidat dhe rolin që luan ndërmjetësuesi ndërkombëtar, jo vetëm në zgjidhjen e problemeve të rastit, por edhe në ato ‘ideale’. Kërkimi dhe promovimi i paqes është themelor në misionin e bukur të ambasadorit - pohoi Papa gjatë fjalimit, shqiptuar në frëngjisht, gjuhë e diplomacisë, drejtuar të njëmbëdhjetë ambasadorëve të rinj:
 
“L’Ambassadeur peut et doit être un bâtisseur de paix….
Ambasadori mund e duhet të jetë ndërtues i paqes. Artizan i paqes, për të cilën po flasim, nuk është vetëm njeriu i qetë, me temperament pajtimtar, që dëshiron ta ketë mirë me të gjithë e, në se është e mundur, t’i shmangë konfliktet, por edhe ai që vihet plotësisht në shërbim të paqes dhe impenjohet gjallërisht për ta ndërtuar, nganjëherë duke dhënë edhe jetën për këtë qëllim”.
 
Në se në të kaluarën njerëzimi iu nënshtrua një skllavërie të padenjë, brënda sistemeve politike dhe ekonomike që – vërejti Papa – për shumë kohë kërkuan ta mbanin pushtetin me demagogji e dhunë, sot jemi para kërkesës për paqe të vërtetë, që nuk mund të plotësohet – vijoi Benedikti XVI – në se nuk mbretëron drejtësia:
 
“Le Saint-Siège a d’ailleurs publié, à la veille de la Conférence de Doha...
Selia e Shenjtë, në prag të Konferencës së Dohës, që përfundoi para pak ditësh, botoi një notë mbi krizën aktuale financiare dhe ndikimin e saj mbi shoqërinë e mbi çdo njeri. Janë disa pika reflektimi, të cilat kanë për qëllim të nxisin dialogun në aspekte të ndryshme etike, që do të duhej të drejtonin marrëdhëniet ndërmjet financës e zhvillimit e të inkurajonin qeveritë dhe aktorët ekonomikë të kërkonin rrugëzgjidhje të qëndrueshme e solidaritet, për të mirën e të gjithëve, posaçërisht për mbrojtjen e më të ligështve, përballë pasojave dramatike të krizës”.
 
Në fjalimet drejtuar diplomatëve të veçantë evropianë, duke nisur nga përfaqësuesi i Luksemburgut, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për projekt-ligjin mbi eutanazinë e vetvrasjen e asistuar, që po diskutohet në parlamentin e Luksemburgut, duke kërkuar respektimin e jetës e të dinjitetit njerëzor. Këtë respekt Papa ia kujtoi edhe diplomatit përfaqësues të Suedisë, duke u ndaluar posaçërisht tek temat e mbrojtjes juridike të familjes e të jetës që s’ka dalë ende në dritë. Benedikti XVI shprehu edhe kënaqësinë për qëndrimin e Suedisë, që ua hapi bujarisht portat të krishterëve të ikur nga Iraku, duke shtuar se lutet çdo ditë për situatën në Lindjen e Mesme.
Përveç bisedës me diplomatin e Luksemburgut, kriza financiare ishte në qendër të vëmendjes edhe në fjalët drejtuar ambasadores së Islandës, shoqëruar me urimin që vendi t’i kapërcejë sa më shpejt vështirësitë ekonomike aktuale.
Promovimi i paqes, vlera e lirisë, nevoja për dialogun ndërmjet kulturave si dhe impenjimi për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm e solidar, ishin temat e forta që preku Papa në fjalimet drejtuar ambasadorëve të katër vendeve me shumicë islamike: Tunizisë, Kazakistanit, Bahrejnit e Sierra Leones.
Shenjë shprese për Afrikën e për mbarë botën - kështu i quajti Papa zhvillimet aktuale në Sierra Leone, pas viteve të luftës së tmerrshme, gjatë së cilës u ushtrua një dhunë shkatërrimtare.
Me ambasadoren e Tunizisë, Benedikti XVI foli kryesisht për situatën e vështirë ekonomike në nivel global, që kërkon solidaritet të vërtetë, në mënyrë që jeta e njeriut të mos kufizohet vetëm në kërkesat materiale, duke harruar kërkesat e tjera shumë të rëndësishme. Pastaj kujtoi dialogun ndërmjet kulturave e feve, respektimin e njeriut dhe të drejtave themelore, me theks mbi lirinë fetare e atë të ndërgjegjes, pa të cilat nuk mund të flitet për paqe.
Në fjalimin drejtuar ambasadorit të Bahrejnit, Benedikti XVI i ftoi të krishterët e myslimanët të bashkëpunojnë, pavarësisht nga ndryshimet, për të mbrojtur vlerat themelore të jetës e të familjes, të paqes e të solidaritetit. Posaçërisht Papa vlerësoi mirëpritjen e punonjësve të huaj në vend.
Rëndësia e dialogut ndërmjet fesë e kulturës ishte tema kryesore në fjalimin drejtuar ambasadorit të Kazakistanit, gjeografikisht vend dialogu, zonë pranë Rusisë, Evropës, Kinës e vendeve me shumicë myslimane. Mund të bëhet, kështu, laborator kërkimesh për bashkëjetesën paqësore të kulturave e të feve të ndryshme.Katër ambasadorëve të tjerë: të Madagaskarit, Belizes, Malavit e Ishujve Fixhi, Benedikti XVI u foli kryesisht për distancën ndërmjet veriut e jugut të botës, të pasurve e të varfërve si dhe për situatën shoqëroro–ekonomike, duke uruar që bashkësia ndërkombëtare të mos i kufizojë ndihmat, që luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kombeve të varfëra, nën ndikimin e krizës financiare botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.