2008-12-17 18:29:50

"T'i japim Evropës fytyrë e shpirt": Sarkozì mbyll presidencën franceze të BE-së


(17.12.2008 RV)Bota ka nevojë për një Evropë të fortë e të bashkuar. Kështu Nikolas Sarkozì mbylli dje, para Europarlamentit, semestrin e presidencës franceze të Bashkimit Evropian. Kontinenti i vjetër, deklaroi Sarkozì duhet të jetë i aftë të caktojë para vetes objektiva ambicioze, që kapërcejnë egozimat kombëtare. Vetëm falë unitetit të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, u arrit të zgjidhet kriza gjeorgjiane, ajo financiare, u shmang shkatërrimi i sistemit bankar dhe u përcaktua politika e përbashkët për të ringritur në këmbë ekonominë.
Për Evropën, theksoi presidenti francez, aksi franko-gjerman është i domosdoshëm, por nuk duhet të jetë ekskluziv. Vendet e mëdha nuk kanë më shumë të drejta, por më shumë përgjegjësi. “Evropa – vazhdoi Sarkozì – nuk ndërtohet kundër kombeve, por me vendet e saj: kjo na jep forcën për të gjetur kompromise”. Si në rastin e paketës mbi klimën, e cila sot u miratua gati njëzëri, pikërisht sepse të gjitha vendet anëtare janë të ndërgjegjshme se e vendos Evropën në pararojë, në krahasim me vendet e tjera të planetit. E pastaj, disa të reja institucionale, ndër të cilat më e rëndësishmja: në të ardhmen, një komisar evropian për çdo vend. Por kjo, nënvizoi Sarkozì, do të kërkojë forcimin e pushtetit të presidentit të ekzekutivit komunitar. Për të përmirësuar imazhin e Evropës para qytetarëve të saj, përfundoi presidenti francez, i duhet dhënë kontinentit “një fytyrë e një shpirt”, duke vepruar me pasion.
Por tani, denoncoi ai pa doreza, ekziston rreziku që rruga e Bashkimit Evropian të kushtëzohet nga qëndrimi i presidentit të ardhshëm të tij, çekut euroskeptik, Vaclav Klaus. Sarkozì e kritikoi ashpër homologun e tij të Republikës Çeke, për trajtimin e keq që i rezervoi një delegacioni të Europarlamentit dhe për vendimin, që të mos vendosë në një institucion të rëndësishëm të Pragës, flamurin e Bashkimit Evropian. Frika se turni i ardhshëm i presidencës evropiane do të ketë probleme, u konfirmua pa dyshim nga fjalët e Nikolas Sarkozì.







All the contents on this site are copyrighted ©.