2008-12-17 18:23:25

Papa inkurajon pjesëmarrësit në bisedimet katoliko-myslimane mbi përgjegjësinë e prijësve fetarë në kohë krize.


(17.12.2008 RV)Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa pati një takim të shkurtër me pjesëmarrësit në bisedimin katoliko-islamik, që u mbajt në Romë, me temë: “Përgjegjësia e prijësve fetarë, posaçërisht në kohë krize”. Në takim morën pjesë dymbëdhjetë personalitete dhe specialistë katolikë, të drejtuar nga kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar e po aq myslimanë, ardhur nga vende të ndryshme, të drejtuar nga doktor Muhamed Ahmet Sherif, sekretar i përgjithshëm i “Shoqërisë Botërore të thirrjes Islamike” (Word Islamic Call Society). Benedikti XVI shprehu kënaqësinë e tij për takimin dhe i inkurajoi pjesëmarrësit të vijojnë bisedimet e nisura.
Kujtojmë se në përfundim të takimit u botua një Komunikatë përfundimtare me katër pika, përmes së cilës pohohet se përgjegjësia e parë dhe më e rëndësishme e prijësve fetarë, është ajo me natyrë fetare. Nënvizohet, më pas, se prijësit fetarë duhet të luajnë edhe një rol të rëndësishëm shoqëror e kulturor, për të promovuar vlerat etike themelore, si drejtësia, solidariteti, paqja, harmonia shoqërore dhe e mira e përbashkët e shoqërisë në tërësinë e saj, pa harruar t’i kushtojnë vëmendje të dorës së parë nevojtarëve, njerëzve të ligësht, emigrantëve e të shtypurve. Në Komunikatë theksohet në mënyrë të veçantë përgjegjësia që kanë prijësit e feve ndaj të rinjve, për të cilët duhet treguar kujdes i veçantë që të mos bien pre e fanatizmit ose e radikalizmit fetar, por të marrin një arsim të shëndoshë, që t’i ndihmojë të bëhen ndërtues urash ndërmjet njerëzëve e veprimtarë të paqes.
Në pikën e katërt e të fundit, pohohet se prijësit fetarë duhet të kujdesen për t’i parandaluar, për t’i përballuar e për t’i zgjidhur krizat e natyrave të ndryshme, përfshirë edhe ato që vërehen në marrëdhëniet ndërfetare në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke shmangur rrezikun që këto kriza të përfundojnë në dhunë të ushtruar në emër të fesë. Në përfundim - ftesa për të krijuar marrëdhënie të bazuara mbi besimin reciprok, gjë që krijon kushtet për përballimin e krizave të mundshme.
Kujtojmë, në përfundim, se kjo nismë pason takimet e tjera, organizuar në seli të ndryshme, së pari më 1976 e, më pas, në mënyrë të rregullt, që nga viti 1989 deri më sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.