Kriza ekonomike: Banka amerikane ul taksat, Opeku zvogëlon prodhimin e naftës
(17.12.2008 RV)Kriza ekonomike vazhdon akoma t’i tregojë dhëmbët në të gjithë
botën. Bursat evropiane e nisën sot ditën me humbje. Përfundoi pra efekti i uljes
së taksave deri në zero nga ana e Federal Reserve, bankës qendrore amerikane, ndërsa
Opeku konfirmoi reduktimin e prodhimit të naftës. Taksat e SHBA-ve janë tani më të
ultat e botës, por, siç deklaroi presidenti amerikan Bush, vendi shkon ekonomikisht
mbrapa, viktimë e një krize tepër të rëndë. Mbi qëllimet e manovrës së bankës amerikane
të dëgjojmë Xhanfranko Viestin, ekonomist i Universitetit të Barit në Itali: Qëllimi
i manovrës është të nxisë si investimet, ashtu edhe konsumin, pasi të ulësh koston
e parasë do të thotë të propozosh përdorimin e saj. Por natyrisht, nuk është një çelës
magjik, në kuptimin që nuk është vetëm kostoja e parasë ajo që i nxit ndërmarrjet
të investojnë, por edhe perspektivat e tregut. Prandaj, duke ulur koston e parasë,
synohet kompensimi i prespektivave të tregut, që ndërmarrjet i shohin si të zeza në
këtë moment. Japonia nuk pati rezultate në këtë rrugë… Eh po: ky është
kurthi i likuiditetit. Situata është në dukje paradoksale për ata që po na dëgjojnë:
paraja nuk kushton, por askush nuk e do. Pasi të kërkosh para, do të thotë se kjo
shërben për diçka, për të blerë makineri, apo shtëpi… Nëse perspektivat janë të tilla,
që ndërmarrjet apo familjet nuk blejnë, megjithëse paranë ta japin gati falas, askush
nuk e do. Shpresoj të mos biem në këtë gjendje, pasi në atë rast, politika monetare
nuk mund të bëjë më asgjë. Të shikojmë se ç’do të ndodhë. Sidomos, të shohim efektin
e presidentit të ri amerikan dhe të politikës së tij mbi investimet publike. Kjo mund
të ndihmojë, por vërtet, ekonomia botërore lëviz në rrugë të panjohura deri tani.