2008-12-17 18:24:56

365 ditë: “Dimri i ‘54-tës dhe thirrja e Abatit Pierr”


(17.12.2008 RV)Në studion e Radios Luksemburg, në Paris, akrepat e orës shënojnë 12 e 59. Pas një minute do të transmetohen lajmet e ditës. Ç’ të reja do të na sjellë sot radioja? Sigurisht të rejat nga politika, por edhe nga sporti e, sigurisht, edhe parashikimin e kohës. Në këtë muaj - jemi në shkurtin e vitit 1954 - termometri ka zbritur në minus njëzet gradë.
Papritmas, e kundër çdo parashikimi, në studio hyn një meshtar, rrok mikrofonin e bën një thirrje prekëse:
“Miqtë e mi. Na ndihmoni! Mbrëmë, në orën tre, një grua vdiq e ngrirë në bulevardin Sevastopol. Në dorë kishte dokumentin, që dëshmonte se e kishin flakur nga shtëpia në mes të ngricës, sepse nuk ishte në gjendje të paguante qiranë”.
Mesazhi zgjat vetëm një minut, por mjafton për të tundur mbarë Francën. Dy minuta më pas centrali i radiostacionit nuk është në gjendje t’i pëballojë thirrjet. Arrijnë menjëherë ndihmat. Hanri Gruè, i njohur si Abati Pierr, e fitoi bastin: arriti të hyjë në zemrat e njerëzve e të shkaktojë aty një kryengritje të vërtetë mirësie.
Autori i këtij ‘sulmi’ mediatik, nuk është i panjohur. Abati Pierr, dyzet e dy vjeçar, ka vite që është vënë i tëri në shërbim të të varfërve. Që kur ishte fëmijë, shoqëronte të jatin në Lion për t’u çuar ndihma më nevojtarëve. Kur u rrit, vendosi të hyjë në urdhërin françeskan, urdhërin e murgjërve, që jetojnë në varfëri të plotë, për dashuri të Zotit e të të afërmit. Pas lufte, u zgjodh deputet i departamentit të Mërth-e-Mosel dhe mbrojti të varfërit në Asamblenë Kombëtare. Tashmë e ka zgjedhur një herë e përgjithmonë rrugën e jetës: do të flasë në emër të të varfërve. Ndër baraka a në lagjet luksoze, predikon pa pushinm dashurinë për të afërmin.
Në dimrin e vitit ‘54, Abati Pierre nuk është më parlamentar. Po kjo nuk e pengon fare të vijojë fjalimet e tij e betejën e tij për të ndihmuar ata, që nuk kanë gjë prej gjëje. Shqetësimi i tij i parë është ai i strehimit, sepse premtimet e qeverisë, si të gjitha qeverive, mbeten vetëm premtime. Burokracia i zvarrit pambarim punët, e ngatërron njeriun e varfër në një rrjet të pafund skadencash, dokumentesh, praktikash. Ndërkaq burra e gra e fëmijë, që kanë mbetur në rrugë madhe, vdesin nga ngrica. Abati Pierr mendon se e vetmja mënyrë për ta përballuar situatën, është të shkaktojë një tërmet të vërtetë në ndërgjegjet. Pse të mos e bëjë këtë përmes radios?
Thirrja e Radio Luksemburgut është një sukses i vërtetë. Pasohet nga një zinxhir i jashtëzakonshëm solidariteti. Disa fëmijë sjellin kursimet e tyre, një burrë e ndalon Abatin e i fal unazën e martesës, pastruesit e rrugëve dhurojnë paratë e çmimit që kanë fituar në përfundim të vitit, gjenerali De Gol dërgon një çek... Një valë e vërtetë solidariteti.Feja e një njeriu të vetëm mjafton për të tundur malet.







All the contents on this site are copyrighted ©.